“Inzaghi është një nga më të mirët”, Tare elozhe për “Zikaltërit”: Inter skuadra për t’u mundur

schedule13:56 - 26 Janar, 2024

schedule 13:56 - 26 Janar, 2024

Që prej fillimit të këtij sezoni, Inter e Juventus kanë ndarë 2 vendet e para të tabelës së kampionatit italian të futbollit, ku javën e shkuar pas një dominimi tërësisht “Zikaltër”, “Zonja e Vjetër” arriti të marrë vendin e parë në tabelën e klasifikimit, me djemtë e Simone Inzaghi, që tashmë janë 1 pikë pas “Bardhezinjve”, por kanë 1 ndeshje më pak për shkak se ishin në Arabinë Saudite, ku zhvilluan sfidat e Superkupës së Italisë, trofe u fitua pikërisht nga Inter.

Mbi këtë garë “të ethshme”, në Serie A ka folur edhe ish-Drejtori Sporti i Lazio dhe njëkohësisht ish-legjenda e sulmit të Kombëtares sonë, Igli Tare, i cili në një intervistë për prestigjiozen “Gazzetta dello Sport” është shprehur se beson, se zikaltërit janë me tëpër të favorizuar e më tej, nuk i kurseu elozhet për teknikun, Simone Inzaghi, të cilin e kategorizon mes më të mirëve të botës.

“Për mua Inter mbetet skuadra për t’u mundur në këtë sezon të Serie A. Merkato që zhvilluan në verë ishte cilësore, megjithatë për titullin duhet të presim muajin mars, besoj do të jetë vendimtar. “Zikaltërit” në këtë periudhë kanë një kalendar të ngjeshur dhe të vështirë, luajnë ndaj Fiorentina, Juventus, Roma, Atalanta dhe pastaj Atletico Madrid në Champions.

Te Juventus janë të qetë në këtë aspekt pasi luajnë një ndeshje në javë dhe kështu është me lehtë për ta përgatitur skuadrën. Juventus do të tentojë ta thellojë diferencën apo edhe të qëndrojë në këto pozita, për t’i ushtruar presion “Zikaltërve”. Inter ka një organikë më cilësore, megjithatë kur luan çdo tre ditë edhe ky avantazh zerohet.

Inzaghi? Unë e vendos Inter-in mes favoritëve si Manchester City apo Bayern Munich në Champions League. Inzaghi është një mes më të mirëve të botës dhe do të dijë t’i menaxhojë ndeshjet e radhës dhe ngjeshjen e kalendarit. Këtë bëri edhe në Superkupë dhe u kthye me trofeun. Tani i mungon vetëm titulli në Itali për të kurorëzuar karrierën. Te Lazio ka fituar gjithashtu Kupën dhe e ka kualifikuar skuadrën në Champions”,- u shpreh Tare. /i.m /abcnews.al