Kryeministri sllovak Robert Fico, ka bërë të ditur të hënën se do ta njoftojë homologun e tij ukrainas Denys Shmyhal, se vendi i tij do ta kundërshtojë pranimin e Ukrainës në NATO.
Sipas tij, anëtarësimi i Ukrainës nuk do të thotë “asgjë tjetër veçse bazë për Luftën e Tretë Botërore”.
Fico është duke u përgatitur të udhëtojë në Ukrainë, më 24 janar, për të takuar kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal për bisedime në qytetin kufitar ukrainas Uzhhorod.
Një arsye për vizitë është ndihma shtesë për Ukrainën, ndonëse në një intervistë për televizionin sllovak, më 20 janar, Fico ka thënë se ta bëjë të qartë qëndrimin sllovak mbi synimin e Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s.
“Unë do t’i them [Shmyhalit] se jam kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe se do të vendos veton ndaj saj”, ka thënë Fico, duke shtuar se nëse Ukraina do të ishte në NATO, “do të nxiteshin vazhdimisht disa konflikte” dhe “po të ndodhë një herë përplasja mes Rusisë dhe një shteti anëtar të NATO-s, do të kemi një luftë botërore”.
Në korrik të vitit të kaluar, NATO-ja ka ripërsëritur qëndrimin e saj se Ukraina një ditë do të bëhet anëtare e aleancës. Vendet anëtare kanë votuar për të thjeshtësuar rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit, siç është heqja e kërkesës për një plan veprimi për anëtarësim.
Alenca, po ashtu, ka formuar Këshillin NATO-Ukrainë për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy palëve.
Megjithatë, disa vende anëtare kanë mëdyshje se kur duhet ta pranojnë Ukrainën në NATO. Sllovakia, e cila është anëtare e NATO-s që nga viti 2004, ka qenë prej kohësh një nga mbështetëset më të mëdha të Ukrainës, në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.
Por, kur Qeveria e majtë nacionaliste e Ficos, e ka marrë pushtetin në tetor të vitit të kaluar, Sllovakia ka vendosur të mos furnizojë Kievin me armë.
Mes tjerash në intervistë, Fico ka pretenduar se Ukraina nuk është vend i pavarur dhe sovran, pasi që, sipas tij, ajo është “nën ndikimin dhe kontrollin total të Shteteve të Bashkuara”.
Kjo deklaratë përbën një pretendim të rremë që Rusia e ka përsëritur vazhdimisht.
Fico ka thënë, mes tjerash, se vizita e tij është shumë e rëndësishme për të dhe do të jetë i interesuar të dëgjojë se çfarë zgjidhje ka Ukraina për t’i dhënë fund luftës, sepse, sipas tij, politika aktuale do të thotë “të kesh 200,000 njerëz të tjerë të vdekur”.
Ai beson se është i nevojshëm një lloj kompromisi për t’iu dhënë fund luftimeve, duke theksuar se “do të jetë shumë i dhimbshëm për të dyja palët”. Sa i përket synimit të Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Fico ka thënë se Sllovakia e përkrah Kievin në këtë drejtim.
“Unë do t’i them [Shmyhalit] se ne i respektojmë ata, por ata duhet t’i plotësojnë kushtet”.
Lidhur me takimet e tij në Ukrainë, Fico ka thënë se t’iu tregojë zyrtarëve ukrainas se vendi i tyre është “një nga vendet më të korruptuara në botë”, duke ngritur pikëpyetje se sa nga ndihmat që merr vendi, “humben ose kanalizohen drejt disa strukturave kriminale”.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.