Fëmijët janë 13 vjet më të rritur. Prindërit 13 vjet më të plakur.
Socialistët 10 vjet në pushtet dhe drejtësia 7 vjet e reformuar.
Aleks Nika, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Ziver Veizi, 13 vjet nën tokë.
Të gjithë janë sërish bashkë, me të njëjtin peng si 13 vjet më parë: kërkojnë drejtësi.
Qeveria është këtë vit më optimiste, por njëherazi edhe më kritike për sistemin e drejtësisë.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Strasburgut që e quan 21 janarin një krim shtetëror të pahetuar, është për kryeminstrin një dritë shpresë në fund të tunelit.
Rihetimi i 21 janarit, ka ngelur mes SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës, e kush do ta rihapë këtë dosje, do të vendosë Gjykata e Lartë, por qeveria e thotë qartë se kujt do t’ja besonte hetimin.
Xhaxhai i Aleks Nikës ende beson se paku do të gjendet se kush e lëshoi plumbin mbi nipin e tij.
Karafilët e kuqë u vendosën aty ku plumbi ju mori jetën 4 protestuesve të pafajshëm, që i ishin bashkuar thirrjes së Partisë Socialiste për të marshuar kundër qeverisjes së Sali Berishës, në atë kohë me Ilir Metën në koalicion, dhe Lulzim Bashën ministër të brendshëm./abcnews.al

