TIRANË- Kjo e diel shënon 13-vjetorin e vrasjes së katër qytetarëve të pafajshëm, të cilët kishin dalë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar kundër qeverisë së kohës, që drejtohej nga Sali Berisha. Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestave të opozitës më 21 janar 2011.
Në Bulevard u mbledhën qindra qytetarë për të përkujtuar të vrarët e 21 janarit. Pas fjalës që mbajti në kryeministri dhe ku bëri thirrje për zbardhjen e “krimit shtetëror”, Edi Rama dhe familjarët zhvilluan homazhe në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në kujtim të viktimave të 21 janarit.
Ai tha se vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të njeriut është detyrues dhe drejtësia shqiptare nuk duhet të humbasë kohë, por ta marrë në dorë hetimin e plotë të asaj ngjarjeje, që Rama e konsideroi si “krim shtetëror të pahetuar”.
“Ne jemi së bashku jo vetëm për të përkujtuar, por është për ti thënë këto fjalë, sepse ka më në fund përveçse sa thjesht shpresë, pakëz dritë në rrugën e gjatë të këtij tuneli. Fjalët e shpresë sonë sot nuk dalin vetëm nga dëshira e paepur për të mos iu dorëzuar errësirës mbytës të sistemit të vjetër të drejtësisë, por nga shenjat e zgjimit të drejtësie edhe për 21 janarin, njëra shenja është e drejtpërdrejtë, vendimi i Gjykatës Evropiane, i cili e cilëson 21 janarin, e zeza mbi të bardhë, si krim shtetëror të pahetuar. Shenja tjetër, është veprimtaria e gjykatës së posaçme, e cila së fundmi ka hyrë në një fazë të re kuptimplotë duke e thyer akullin e shtresëzuar prej 100 e kusur vitesh të shtetit shqiptar dhe drejtësisë”, tha Rama.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh se për 21 janarin nuk është bërë ende drejtësi dhe autorët nuk kanë marrë ndëshkimin e merituar.
“Drejtësia për 21 janarin është ende në ajër. 21 janari kërkon nga drejtësia që të bëhet drejtësi e plotë, dhe drejtësi do të thotë se përgjegjësit të shkojnë para drejtësinë dhe të marrin ndëshkimin. Më të nuk e kërkojnë vetëm familjarët e viktimave, shoqëria, por edhe Gjykata Evropiane”, tha Manja.
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, i cili u vra më 21 janar, kërkoi nga SPAK të zbardhë të plotë krimin e 13 viteve më parë. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës së Strasburgut, është një sinjal i qartë, të cilin drejtësia shqiptare duhet ta zbatojë më përpikëri dhe autorët dhe përgjegjësit kryesorë të dalin menjëherë dhe të japin llogari para drejtësisë për krimet e kryera.
“Bashkë më dëshpërimin të vrasjes së pazbardhur të Aleksit, ky përvjetor i 13 vjen me një lajm të mirë, vendimi i Strasburgut, i nëntorit të vitit të kaluar, që pohon pretendimet tona. Më shumë se kaq vendimi i kësaj gjykatë demaskon hetimin farsë. Në emër të familjes Nika i shpreh falënderimet më të thella Strasburgut, na ktheu shpresën se do ketë drejtësi dhe fajtorët do dënohen. Vrasja e Aleksit dhe 3 të tjerëve lindi i zbardhur, para kamerave. Ata ishin protestues paqësorë, u vranë kur protesta po shpërndahej larg hyrjes së kryeministrisë. Asgjë tjetër veç një urdhri nga lart mund të çonte në hapjen e zjarrit ndaj qytetarëve në ato kushte. Këto 13 vite kanë qenë 13 vitet e manipulimit të drejtësisë, Berisha u dha kohë të prishin provat. Nga ky vit kemi shpresë e besim se 21 janari do të flasë me gjuhën e ligjit dhe drejtësisë. Vendimi i Strasburgut nuk është rekomandues, por i detyrueshëm për tu zbatuar. Topi është në fushën e drejtësisë së re shqiptare”, u shpreh mes tjerash Mark Nika./ n.m.abcnews.al