Manchester City vuajti gjysmë ore në ndeshjen kundër Atalantës. Goli i Malinkovskyt befasoi të pranishmit në “Etihad Stadium”, por Aguero përmbysi rezultatin brenda katër minutash.
Kampionët e Anglisë nuk u përmbajtën dhe shënuan edhe tre gola të tjerë deri në fund me anë të Rahem Sterling. Përfundimisht 5-1 për ekipin e Guardiolës, i cili tregon sekretin e këtij triumfi të thellë.
“Arritëm një rezultat të shkëlqyer kundër një Atalante shumë të mirë. Ata të çojnë në limite, diçka që nuk e bën çdo skuadër. E bëmë diferencën në sulm dhe ia dolëm të fitonim”, komenton trajneri spanjoll pas fitores me “manita”.
Manchester City kryeson grupin C me 9 pikë të plota, ndjekur nga Shakhtar Donetsk dhe Dinamo Zagreb me nga katër pikë. Në fund renditet ekipi italian me zero pikë. /abcnews.al