Trajneri i Teutës, Edi Martini, e ka cilësuar barazimin e sotëm ndaj Tiranës si një pikë të rëndësishme për moralin, edhe pse nuk ka qenë plotësisht i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij.
“Duhet të them se është ndeshja më e keqe që kemi bërë në 10 ndeshjet e fundit. Në pjesën e parë lamë Tiranën të qarkullonte topin, nuk arritëm në asnjë moment ta vinim në presion dhe i dhamë superioritetin numerik e na morën mesin e fushës. Pësuam gol nga distanca falë aftësive të tyre, duhej të ishim më të kujdesshëm. Në pjesën e dytë u kthyem me 3-5-2, pësuam gol të shpejtë që na uli moralisht disa minuta, pastaj ekipi luajti gjithçka për gjithçka, luftuam për çdo top, patëm shanse e barazuam. E vërtetë që ishte pikë si fitore, se në këto kushte është e rëndësishme ana psikologjike se një humbje do të na sillte ulje morali. Është pikë karakteri, si fitore se ndeshje të tjera na presin dhe duhet çojmë ritmin e lojës patjetër.
Çfarë i thashë Llocit? I thashë bravo, të vazhdojë kështu, është i ri, dallohet që nuk ka minuta përpara, ka nevojë të vijë gradualisht në lojë dhe sot tregoi se është pjesë e rëndësishme e skuadrës tonë.
Ana më problematike është besimi, ana psikologjiske se kemi humbur pikë kur nuk e kemi merituar. Kështu duhet të punojmë në këtë aspekt, do punojmë të ketë rritje ekipi dhe rezultatet do të vijnë me patjetër.
Nëse në fazën e parë ne kishim probleme me zëvendësimet, tani i kemi zëvendësimet dhe të ngroh kur bën 4-5 dhe çohet niveli i ekipit. Konkurrenca është shtuar dhe jam i bindur që do të vijnë ndeshje më të mira.
Edhe sikur të fitonim sot, duhet të jemi me këmbë në tokë se nuk po bëjmë asgjë, jemi të fundit dhe euforia nuk duhet të jete. Ajo që më kënaq është karakteri, pastaj nuk ka vend për eufori se jemi të fundit, kemi shumë punë për të bërë”, tha për “MCN” Martini pas ndeshjes./ h.ll/abcnews.al