DIVJAKË- Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me banorët e Divjakës foli për krijimin e një projekti pilot, i cili do bëjë bashkë të gjithë aktorët, qeverinë, Bashkinë dhe komunitetin për të çuar para zhvillimin e bujqësisë, turizmit dhe ekonominë e zonës.
Ai tha se Divjaka i plotëson të gjitha kushtet për të patur një model, i cili do t’i shërbejë më pas dhe zonave të tjera të Shqipërisë.
“Faktikisht, ne e kishim lënë përpara Vitit të Ri me Erionin që të bënim një takim me Kryetarin e bashkisë, me Ministrin e Pushtetit Vendor, me Drejtorin e Fondit të Zhvillimit dhe me Ministren e Bujqësisë dhe duke marrë parasysh disa elementë, që mendoj unë, janë bërë bashkë këtu, që nga fakti që për shembull, më korrigjoni nëse bëj ndonjë gabim, bashkia e Divjakës i bën vetë një sërë shërbimesh publike, si për shembull pastrimin, tek fakti që Kryetari i Bashkisë vjen drejtpërdrejtë nga sektori i bujqësisë, por jo thjesht, po themi si njëri prej shumë të tjerëve, por si njëri prej atyre që e kanë udhëhequr, si të thuash, këtë zhvillim me punën e shembullin e tyre, pra, ka një eksperiencë të gjerë sepse njeh mirë prodhimin, njeh mirë grumbullimin, njeh mirë eksportin e njeh mirë edhe tregun ndërkombëtar, – tek fakti që kemi një moment shumë të rëndësishëm, në përgjithësi, të rritjes së interesit për Shqipërinë, në aspektin turistik. Ne e kemi, prej kohësh, qëllimin që në plazhin e Divjakës, të kemi një zhvillim, por ama, një zhvillim model për nga aspekti i harmonizimit të nevojës për një infrastrukturë akomoduese me nevojën për të ruajtur ekuilibrin e plotë me natyrën, me parkun që është mbrapa e të tjerë e të tjerë edhe tek fakti që me Fondin e Zhvillimit kemi pasur disa eksperienca më të vogla, më pjesore, në bashki të ndryshme të futjes së investimeve me një logjikë ekonomike, jo thjesht te investojmë, të bëjmë edhe të ikim, por të investojmë dhe kërkojmë që të krijojmë të ardhura.
Ideja që ne përpunuam me Erionin është në Divjakë, në bashkinë e Divjakës, duke qenë se ka shumë potencial, jashtëzakonisht shumë dhe duke qenë se në njëfarë mënyre janë bërë shumë gjëra, por tani duhet bërë një lidhje zinxhir e të gjithave bashkë për të nxjerrë në një nivel tjetër njësinë qeverisëse dhe vetë zonën e qeverisur, të bëjmë një projekt-pilot, një projekt-pilot të një zhvillimi lokal të integruar që do të thotë të futemi bashkërisht, qeveria, bashkia,Fondi i Zhvillimit, patjetër, duke përfshirë këtu komunitetin, biznesin, donatorët dhe të fokusohemi për të krijuar një model të integruar, i cili do të na shërbejë për më tej dhe nga ky proces, ne pastaj krijojmë një eksperiencë dhe i themi bashkive të tjera “Shiko, modeli që bëmë ne, tregoi që duke i bërë vetë kursen kaq dhe fiton kaq në cilësinë e shërbimit”. ”, u shpreh Rama./abcnews.al