Pas rreth 2 javësh që nga ekzekutimi mafioz me Snajper i 23-vjeçarit Gëzim Sinomanti, Policia e Shtetit beson se është pranë zbardhjes së kësaj ngjarje të rëndë.
Këtë e konfirmoi edhe vetë ministri I Brendshëm Taulant Balla, teksa ishte në Vlorë për analizën vjetore të Policisë në këtë qytet.
“Sapo ju thashë, është një ngjarje kriminale e rëndë për të cilën është angazhuar personalisht Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për ndjekjen e saj, së bashku me drejtorin vendor dhe drejtues të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme. Besoj që në pistën kryesore që kemi, do të shkojmë drejt dokumentimit dhe arrestimit të autorëve.”
I pyetur në lidhje me efektshmërinë e kontrolleve të forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe reneas, të cilat prej 11 ditësh vazhdojnë të qëndrojnë në Vlorë, Balla thotë se duhet krijuar siguri tek qytetarët.
Në fjalën e tij Balla ka folur edhe në lidhje me pritshmëritë për 2024, ku tha se kanë nxjerrë detyra konkrete për strukturat e Policisë në Vlorë, për të siguruar rendin por edhe për tu përgatitur për sezonin turistik./abcnews.al