Ish-prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku është përjashtuar nga gara për Gjykatën e Lartë. Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka përjashtuar Sollakun për arsyen se në vitin 2007 është shkarkuar si kryeprokuror. Ish-kryeprokuroprii tha për Abc News se pasi të marrë vendimin e zbardhur, do të vendosë nëse do ta ankimojë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor skualifikon nga gara për Gjykatën e Lartë kandidatin Theodhori Sollaku. Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar pasditen e të martës, pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatit nga radhët e juristëve të spikatur.
Burime nga qeveria e gjyqësorit konfirmuan se arsyeja e skualifikimit të avokatit Sollaku ka qenë shkarkimi i tij si Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2007, nga ish-kryeministri Berisha. Sipas ligjit kandidati ka të drejtën e ankimimit të vendimit në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 5 ditëve nga zbardhja e vendimit.
I kontaktuar nga ABC News Theodhori Sollaku është shprehur se pasi të njihet me vendimin e arsyetuar atëherë do të vendosë nëse do të bëj ankimim. Nëse Gjykata Administrative e apelit vendos në favor të kandidatit të skualifikuar atëherë KLGJ duhet ta rikthejë në garë.
Kjo është faza e dytë e verifikimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Një muaj më parë KLGJ skualifikoi 14 nga 22 kandidatët në garë për tre vendet vakante nga rradhët e anëtarëve jo gjyqtarë.
Ndërkohë nga skualifikimet e fazës së parë kandidati Jordan Daci e ka ankimuar në gjykatën administrative të Apelit vendimin e KLGJ. Ish prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku ishte një nga 8 kandidatët e përzgjedhur për fazën e dytë.
Gara për 3 vende në Gjykatën e Lartë do vijojë për 7 kandidatët e tjerë nga radhët e juristëve të spikatur Jetmira Rragami, Ervin Pupe, Kestrin Katro, Sokol Sadushaj, Ilir Panda, Rezarta Melo, dhe Ardita Buna Alsula./ABC News Albania