Komisioni i Reformës Zgjedhore do të mblidhet këtë të premte për herë të parë pas 2 vitesh. Dy bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj kanë vendosur që mbledhja të nisë në orën 11:00. Mbledhja vjen pas takimeve që u zhvilluan me përfaqësuesit e OSBE në vendin tonë.
“Janë 18 anëtarë të këtij komisioni, 9 për pakicën parlamentare dhe 9 për shumicën. 3 deputetë të pakicës janë të grupimit të Basshës, tre të Berishës dhe Bardhit dhe tre aleatë. Prania ose jo e grupimit të Bashës nuk është pnegesë për komisionin, mjafton që të vijë Alibeaj. Komisioni mund të mblidhet edhe me praninë e të gjithë socialistëve”, raportoi gazetarja Esiona Konomi.
Një ditë më parë, OSBE/ODIHR iu bëri thirrje palëve politike për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.
“Çmojmë partneritetin tonë me Kuvendin e Shqipërisë! U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të kontribuojnë për një proces parlamentar të qetë e funksional. Punimet e papenguara dhe dialogu konstruktiv në komisione janë thelbësore. Përkushtimi ynë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë mbetet i fortë. Angazhimi pozitiv i të gjithëve është vendimtar për të pasur sukses!”, thuhej në reagimin e OSBE-së. /abcnews.al