Ukraina ka nevojë për fonde të vazhdueshme gjatë 2024 dhe më tej për të fituar luftën, tha presidentja e Komisionit Eropian Ursula von der Leyen, duke tërhequr vëmendjen për rrezikun e lodhjes midis aleatëve të Kievit përballë agresionit rus.
“Ukraina mund ta fitojë këtë luftë”, tha presidentja e Komisionit nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos.
“Por ne duhet të vazhdojmë t’i japim asaj mjetet për të luftuar.”
“Ukraina ka nevojë për një furnizim të vazhdueshëm dhe efikas të armëve për të mbrojtur vendin e tyre dhe për të rimarrë territoret e tyre legjitime,” tha ajo.
Duke kujtuar se Bashkimi Europian vendosi në dhjetor të nisë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, Ursula von der Leyen deklaroi se anëtarësimi i Ukrainës do të jetë një hap historik për vendin dhe një thirrje ndaj Europës.
Duke adresuar një paralajmërim për tentativat për dezinformim, veçanërisht të shumta në rastin e Ukrainës, presidentja e Komisionit këmbënguli në humbjet e Rusisë që nga fillimi i pushtimit të saj kundër Ukrainës.
“Rusia nuk i ka arritur qëllimet e saj strategjike.Rusia ka dështuar ekonomikisht. Sanksionet e kanë izoluar ekonominë e saj nga teknologjitë e reja dhe inovacioni. Së fundmi, Rusia ka dështuar në nivelin diplomatik ”, tha ajo, duke iu referuar anëtarësimit të Finlandës në NATO, që së shpejti do të pasohet nga Suedia.
/abcnews.al