PD nuk është shprehur zyrtarisht nëse do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit te Reformës Zgjedhore, por aleatët e saj kërkojnë një përfaqësim në nivelin teknik. Për ABC Neës, aleatët e PD, Mediu, Shehi dhe Ndoka shprehen se opozita nuk duhet të refuzojë asnjë ftesë kur bëhet fjalë për të dhënë kontributin e saj për reformën zgjedhore.
Një ditë pas takimit me Lulzim Bashën, aleatët e Partisë Demokratike janë në unison që opozita nuk duhet të refuzojë asnjë ftesë për të qenë pjesë e diskutimeve të Reformës Zgjedhore. Për ABC News, kreu i PR, Mediu, kreu i LZHK, Shehi dhe kreu i PDK, Ndoka janë të bindur se zëri i opozitës duhet të dëgjohet.
E kontaktuar nga ABC Neës, zyrtarisht Partia Demokratike nuk ka mohuar pjesëmarrjen në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Sipas burimeve nga selia blu fillimisht do të pritet të merret zyrtarisht ftesa nga Kuvendi, pastaj do të shprehet me një vendim politik. Por aleatët e Bashës ndahen kur bëhet fjalë për ndarjen e miratimit të reformës zgjedhore në dy faza.
Ndoka e Shehi e shohin si zgjidhjen më të mirë kalimin në Kuvend të propozimeve të OSBE/ODIHR për të cilat ka dhënë kontribut edhe opozita, ndërkohë që më pas duhet punuar mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor. Por ndryshe e mendon kreu i republikanëve, Fatmir Mediu.
Ekspertët zgjedhore të Partisë Demokratike janë duke punuar prej dy javësh mbi krijimin e një platforme të detajuar për reformën zgjedhore. Dokumenti i dakordësuar edhe me aleatët në koalicion do të jetë oferta e opozitës për reformën zgjedhore./ABC News Albania