I dalë nga moshat e “Verdhekuqve” të Roma-s, mesfushori shqiptar, Emanuele Ndoj pritej të kishte një të ardhme të ndritur, mirëpo kurrë nuk ia arriti të dilte nga “vorbulla” e kategorisë së dytë të futbollit italian, Serie B, ku prej 7 vitesh tashmë është pjesë e skuadrës së Brescia, mirëpo as aty nuk po arrin të aktivizohet më.
Mesfushori “kuqezi” ndodhet në vitin e fundit të kontratës me italianët, mirëpo nuk ka pranuar të rinovojë kontratën, duke mbetur kështu jashtë skuadrës, teksa këtë sezon ka arritur të luajë vetëm 2 përballje, në kategorinë e dytë italiane e për këtë aryse ka vendosur që të ndërpresë totalisht marrëveshjen me klubin ku ndodhet.
Megjithatë, Ndoj duket se është gati për “aventurën” e tij të re, me skuadrën e Leço, e cila aktualisht po bën një “luftë mbijetese”, në Serie B, teksa renditet në vendin e 16-të të tabelësm dhe kërkon me ngulm shërbimet e 27-vjeçarit shqiptar dhe sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, një marrëveshje është arritur mes 2 klubeve, për të kaluar Ndojin si një lojtar i lirë e në rast mbijetese, skuadra e Leço i detyrohet Brescia-s 10 mijë euro për kartonin e tij.
“E dashur Brescia, është e vështirë të gjesh fjalët për të shprehur gjithçka që ndjej tani. Pas gati 8 vitesh dhe 143 ndeshjeve të luajtura me këtë fanellë, ka ardhur koha për t’u ndarë. Është një përshëndetje plot emocione të përziera, por mbi të gjitha është një përshëndetje plot mirënjohje.
Kur mbërrita këtu, isha një djalë i ri me një ëndërr në zemër dhe Brescia më dha mundësinë për ta realizuar atë. Kam mësuar shumë gjatë kohës sime këtu, jo vetëm si futbollist, por edhe si njeri.
Kam takuar njerëz të mrekullueshëm, kam krijuar miqësi që do të zgjasin përgjithmonë dhe kam patur privilegjin ta mbaj veshur me krenari këtë fanellë.
Ishte një rrugëtim plot sfida, fitore, disfata dhe momente të paharrueshme. Mbi të gjitha mbërritja në Serinë A, ëndrra e çdo fëmije që e do këtë sport të mrekullueshëm! Sa herë që zbrisja në fushë me këto ngjyra, jepja gjithçka për këtë ekip dhe tifozët tanë fantastikë.
Do të doja të falënderoja shokët e skuadrës, trajnerët, stafin dhe të gjithë ata që punuan në prapaskenë gjatë kohës sime këtu. Ju keni qenë familjarë për mua, do të më mungoni të gjithë.
Por mbi të gjitha, dua të falënderoj tifozët e Brescias. Mes nesh kishte dashuri dhe urrejtje si në një lidhje, dhe falë këtyre momenteve më bëtë të rritesha shumë. Do ju falënderoj gjithmonë për këtë.
Megjithëse ndonjëherë situatat mund të dukeshin ndryshe, dijeni që sa herë më është dhënë besim jam munduar të jap gjithçka për këtë fanellë. Për secilin prej jush dhe për këtë qytet, që ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë shtëpia ime!
Faleminderit përsëri, Brescia, për gjithçka që më ke dhënë. Këto tetë vite do të mbeten gjithmonë ndër kujtimet më të veçanta të jetës sime. Tani është koha për të filluar një aventurë të re, por Brescia dhe tifozët e saj do të mbeten përgjithmonë në zemrën time”,- shprehet Ndoj, në postimin e tij, të shpërndarë në rrjetet sociale.
Ndërkaq, kujtojmë se përgjatë 145 përballjeve, të zhvilluara gjatë 7 viteve me skuadrën e Brescia, Ndoj ka shënuar gjithësej 12 gola, si dhe ka arritur të regjistrojë 11 asistime, ndërkaq, mesfushori ka arritur të luajë edhe 6 përballje me Kombëtaren e Shqipërisë, ku ka arritur të shënojë edhe 1 gol, në miqësoren ndaj Ukrainës. /i.m /abcnews.al