Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski nuk do të ndërhyjë në vendimin e partive politike për zgjedhje të parakohshme. Zyra e Presidentit tha për ABC News se zoti Pendarovski pret lançimin e një forumi për dialog politik i cili do të ishte një platformë për diskutimin e çështjeve më të rëndësishme për vendin.
Zyra e Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha për ABC News se takimi i parë i liderëve i thirrur nga Presidenti, pas konkluzioneve të Këshillit Evropian, duhet të përqendrohet në riafirmimin e orientimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut.
Zyra e shtypit e Presidentit Pendarovski vuri në dukje se në fjalën e tij drejtuar qytetarëve të vendit, Presidenti tha se me gjithë lajmin e marrjes në konsideratë të një marrëdhënieje speciale të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian, ky nuk është opsion për Maqedoninë e Veriut, e cila e konsideron integrimin euro-atlantik si të vetmen alternativë, dhe Presidenti pret konsensus nga udhëheqësit e partive politike në takimin e sotëm të liderëve.
Lidhur me shqetësimin e Francës për metodologjinë e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, “Presidenti është i ndërgjegjshëm për shqetësimet dhe mbështet reformat e metodologjisë, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është plotësisht e përgatitur për t’iu përgjigjur kërkesave të procesit negociues.”
Lidhur me deklaratat e udhëheqësve të partive politike për zgjedhje të parakohshme, Presidenti Pendarovski tha se ai nuk do të ndërhynte në atë vendim dhe ua lë partive politike.
Presidenti pret që takimi i lidershipit të sjellë lançimin e një forumi për dialog politik i cili do të ishte një platformë për diskutimin e çështjeve më të rëndësishme për vendin nën kujdestarinë e Presidentit në përputhje me pozicionin e tij kushtetues./ABC News Albania