Tajon Buchanan është i përzgjedhuri i “Zikaltërve” për t’u afruar në merkatan e janarit. Bordi i Inter po përballet me mungesën e gjatë të Juan Cuadrado, që për shkak të një operacioni do të rikthehet vetëm në muajin prill dhe pikërisht për këtë arsye janë të detyruar të hyjnë në merkato muajin e ardhshëm.
Anësori kanadez është edhe i përzgjedhuri i dyshes Marotta-Ausilio, që duhet theksuar se kanë monitoruar Buchanan gjatë dy viteve të fundit. Futbollisti ka kontratë me “gjigantët” belg të Club Brugge deri në verën e 2025-ës, por fill pasi mësoi për interesin konkret të Inter, nisi edhe presionin ndaj belgëve, teksa në ndeshjen e fundit nuk është grumbulluar.
Club Brugge kërkon 10-12 milionë euro për kartonin e Buchanan, teksa Marotta duket se ka marrë tashmë edhe miratimin e presidentit Stiven Zhang, për të transferuar kanadezin në huazim me detyrim blerjeje.
Marrëveshja pritet të mbyllet që në ditët e para të janarit, me qëllim që Simone Inzaghi të ketë Buchanan në dispozicion sa më shpejt. Mbrojtësi kanadez, që në shkurt do të festojë ditëlindjen e 25-të, pritet të jetë jo vetëm një përforcim për të tashmen te zikaltrit, por edhe për të ardhmen, duke qenë se kontrata e Cuadrado skadon në verë dhe holandezi Dumfries nuk ka pranuar rinovimin, ndaj me shumë gjasa do të shitet. /i.m /abcnews.al