Mijëra protestues që mbështesin rebelët shiitë Houthi të Jemenit u mblodhën në Sana’a, në solidaritet me palestinezët në Gaza dhe për të denoncuar koalicionin ushtarak shumëkombësh të udhëhequr nga SHBA në Detin e Kuq për të mbrojtur anijet ndërkombëtare.
Protesta u organizua nga lëvizja Houthi e lidhur me Iranin, e cila kontrollon pjesën më të madhe të Jemenit veriperëndimor, duke përfshirë Sanaa, dhe ka marrë përgjegjësinë për një seri sulmesh ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Këto demonstrata u organizuan më pak se 24 orë pasi udhëheqësi i rebelëve shiitë, Abdel Malik al-Houthi, deklaroi se do të vazhdonin sulmet kundër anijeve që i përkisnin Izraelit ose që drejtoheshin në portet e vendit.
Udhëheqësi i lëvizjes së armatosur shiite Ansar Allah,i njohur më mirë si Houthi, sipas emrit të familjes së liderëve të saj tha se operacioni i udhëhequr nga SHBA në Detin e Kuq synon ta kthejë të gjithë rajonin në një fushë beteje.
Operacioni Prosperity Guardian, iniciativa e udhëhequr nga SHBA, synon të rrisë praninë ushtarake ndërkombëtare në Detin e Kuq për të mbrojtur transportin ndërkombëtar, pasi shumë kompani të mëdha të anijeve kanë vendosur të ndalojnë transportin e ngarkesave përmes tij për shkak të sulmeve të Houthit me dronë dhe raketa.
Houthi tha se ata po sulmojnë anijet tregtare të destinuara për në Izrael ose që shkojnë në portet izraelite për të bërë presion për t’i dhënë fund operacionit të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.
/abcnews.al