Berisha i vetëm para drejtësisë/ Mimi Kodheli: Kushdo që ka gabuar duhet të paguajë

schedule23:42 - 21 Dhjetor, 2023

schedule 23:42 - 21 Dhjetor, 2023

TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, në intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, u shpreh se votimin në Parlament për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha, pas kërkesë së SPAK për ndryshim të masës së sigurisë, është thjesht konfirmim i vullnetit të PS, i cili është artikuluar publikisht edhe më parë.

Ajo tha se Partia Socialiste e ka respektuar dhe do ta respektojë deri në fund kërkesën e drejtë të drejtësisë, e cila sipas Kodhelit duhet të bëjë punën e saj.

“Ngjarja e sotme na jep mësime të tjera. Ne nuk duhet kurrë dhe nuk kishim dashur kurrë që pamjet e seancave të fundit t’ua ofrojmë publikut dhe ndërkombëtarëve, por kjo tashmë ka ndodhur. Gjithsekush ka marrë vendimet e veta, PS ka marrë vendime dhe i ka shkuar deri në fund kërkesës së gjykatës dhe mendon se po bën gjënë e duhur. Reforma në drejtësi duhet bërë dhe duhet zgjeruar më tej”, tha ajo.

Ajo tha se Shqipëria piketat e saj gjeopolitike i ka vënë tashmë, ndërsa shtoi se heqja e imunitetit të Berishës ka ndryshuar rrjedhën e gjërave.

“Disa kolegët të PD duhet të ishin prezentë në seancë. Seanca e sotme ishte një seancë përtej simbolikës. Ne kemi qenë të drejtpërdrejtë dhe është ditur vendimmarrja jonë prej kohësh. Është një situatë e re, rrjedha politike tashmë është vendosur. Shqipëria ka vënë disa piketa në politikën e saj të jashtme. Politika duhet të kujdeset që reformat e nisur të perfeksionohen dhe duhet të tregojmë se duhet të përmirësojmë sistemet dhe shtyllat e demokracisë, sepse vetëm kështu duhet të afrohemi me Evropën”, tha ajo.

Duke u ndalur të rasti i Sali Berishës, Kodheli tha se kushdo që ka gabuar në detyrën e tij duhet të japë shpjegime para drejtësisë. Kjo qasje shtoi deputetja e PS-së rrit besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë dhe gjykatave në Shqipëri.

“Njerëzit duhet besojmë se ligji është i njëjtë për të gjithë. Kjo është shumë e rëndësishme. PD është një pasuri e vendit, edhe opozita po ashtu, por kjo nuk do të thotë se kush ka gabuar nuk duhet të paguajë. Nuk do kisha dashur askënd që është marrë në politikë ta shihja në këtë pozicion, por besoni që unë si çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi kam besuar shumë se do ishin shumë pak ata që janë marrë me politikë, që do ta përfundonin karrierën në këtë formë. Nëse është gabuar duhet të paguajnë, kaq e thjeshtë është e gjitha”, shtoi Kodheli./n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!