Qeveria Shqiptare ka akorduar një fond prej 200 milionë lekësh për ekipin Kombëtar të futbollit. Në fletoren zyrtare është pasqyruar këtë të hënë një akt i ri normative, që tregon akordimin e shumës së përmendur për Kombëtaren e Shqipërisë, pas arritjes së kualifikimit në Kampionatin Evropian.
“Fondi prej 200 milionë lekësh në programin “Zhvillimi i sportit”, të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, përdoret për mbështetjen e Ekipit Kombëtar të Futbollit në kuadër të UEFA EURO 2024, sipas përcaktimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave”,- shkruhet në fletoren zyrtare.
Presidenti ka dekretuar vendimin e Këshillit të Ministrave për këtë fond, që tashmë mbetet për tu parë se si do ti shërbejë Kombëtares së Shqipërisë. Ekipi kombëtar arriti që të zinte vendin e parë në grupin E në kualifikueset e kampionati europian, duke lënë pas Çekinë, Poloninë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe.
“Kuqezinjtë” do të luajnë verën e ardhshme me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën në fazën e grupeve të Evropianit që do të luhet në Gjermani, me përballjet që do të zhvillohen respektivisht, më 15, 19 e 24 qershor. /i.m /abcnews.al