“Sokol Mjacaj e fshehu armën në kutinë e qumështit”, drejtori i burgut të Peqinit: Ja personat të cilët i kanë sjellë ushqime

schedule12:28 - 19 Dhjetor, 2023

schedule 12:28 - 19 Dhjetor, 2023

ABC News ka siguruar dosjen hetimore në lidhje me dëshminë e dhënë nga drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, për vrasjen që i dënuari përjetë Sokol Mjacaj kreu në këtë institucion, ku ekzekutoi Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan, edhe ata të dënuar përjetë.

Kamber Hoxha thotë se Mjacaj i ka deklaruar se armën e kishte fshehur në kutinë e qumështit. Sipas Hoxhës, kontrolli është kryer, por mund të ketë pasur neglizhencë.

Hoxha u shpreh se nga data 1 gusht e deri më sot, Mjacajt i ka sjellë ushqime i vëllai, Paulin Mjacaj dhe Ilda Rapo, e cila në disa raste është prezantuar si kushërirë e tij, e më pas si mikeshë.

Pjesë nga dosja hetimore në lidhje me dëshminë e Kamber Hoxhës

“Siç u shpreha më lartë duhet të kontrollohej. Bëhet regjistrimi i të dhënave të personit, i cili sjell ushqimet tek postoblloku në hyrje të rrethimit të jashtëm të IEVP-së. Shoqërohet personi për në vendin e kontrollit që është para hyrjes në regjimin e brendshëm. Atje bëhet kontrolli i të gjitha sendeve dhe i kalohen të burgosurit nga punonjës policie me detyrë kontrollor dhe i jepen të burgosurit. Po skanohen, por skaneri ka qënë me defekt që nga data 21.10.2023. Skaneri është rregulluar përpara 3-4 ditësh. Monitorimi kryhet me kamera sigurie dhe me punonjes policie të cilët bëjnë vezhgimin nga sipër. Ambientet monitorohen me punonjës policie dhe me kamera. Kontrollet bëhen periodike, sipas informacioneve që kemi. Shtetasi Sokol Mjacaj kishte tre ditë.

Unë kam komunikuar me Sokolin për rreth një orë e gjysëm, pasi ai u fut tek dhoma e takimit. Në komunikim ishte shumë i qetë. Me tha se armën e kam futur para një muaji dhe e kam mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit. E bëra këtë kur mora lajmin nga mediat që u futa në 41-Biz. Nuk mund ta sqaroj se si ka ndodhur, pasi kontrolli është kryer, por mund të këtë patur neglizhencë në ndonjë moment të caktuar nga punonjëist e policisë të cilët kanë kryer kontrollin. Kontrolli kryhet kryesisht me dorë duke i kontrolluar një për një sendet dhe me dedektor dore. Nga verifikimet që bëra sot pas ngjarjes, për vitin 2023 ka bërë 5 (pesë) takime dhe i fundit ka qënë në datën 25 gusht 2023.

Nga verifikimi për futjen e ushqimeve, nga data 01.09.2023 deri sot ka futur ushqime në datën 01.09.2023, 14.09.2023, 22.09.2023, 03.10.2023 dhe 16.11.2023. Në datën 01.09.2023, i ka sjellë i vëllai Paulin Mjacaj, kurse në rastet e tjera i ka sjellë kushërira e tij me emrin Ilda Rapo. Kjo shtetase në katër raste është prezantuar si kushërirë dhe në datën 16.11.2023 është prezantuar si mikeshë. Personi që sjell ushqimet regjistrohet nëpërmjet kartës së identitetit dhe pyetet i burgosuri nëse është dakort që t’i pranojë ose jo ushqimet. Për rastin konkret, për periudhën që unë jam në detyrë nuk ka pasur rast të tillë, duke u bazuar në informacionin paraprak që kam marrë. Në dijeninë time për këtë periudhë nuk ka pasur asnjë konflikt.”