JO-ja franceze për hapjen e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së ka shkaktuar një zinxhir lëvizjesh në Shkup. Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski thirri në takim krerët e partive ndërkohë që opozita në vend u bëri thirrje qytetarëve të dalin në protesta në rrugë dhe sheshe.
Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski ka ftuar të gjithë krerët e partive politike, shqiptare dhe maqedonase, në një takim të përbashkët këtë të diel, por për momentin është e paqartë se kush do të marrë pjesë.
Takimi është thirrur për shkak të gjendjes së krijuar pas refuzimit të Francës për të dhënë një datë për nisjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Ndërkohë, opozita në Maqedoni, ka paralajmëruar protesta. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski paralajmëroi daljen e opozitës maqedonase në rrugë dhe sheshe dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen me ta.
“E di se janë momente të vështira, e di se të gjithë presim të marrim datë për nisjen e bisedimeve me BE-në. Të gjithë ne besojmë në të ardhme evropiane dhe do vazhdojmë të besojmë, por nuk do të na çojnë politikanët gënjeshtarë, të cilët vetëm premtojnë dhe asgjë nuk realizojnë”, tha Mickoski, i cituar nga Telegrafi.
Mickoski tha se opozita maqedonase si parti i dhanë mundësi procesit dhe se “17 tetori është dita kur përfundon koncesioni”, dita kur përfundon durimi i VMRO-DPMNE-së.
“Prej sot opozita shtëpinë e saj do ta ketë në sheshet dhe rrugët e Maqedonisë”, tha Mickoski./ABC News Albania