Ja ku SPAK gaboi me gazetarin Elton Qyno dhe kush përfiton nga kjo

schedule11:05 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 11:05 - 15 Dhjetor, 2023

Nga Carlo Bollino

Vendimi i SPAK-ut për të nisur një hetim ndaj gazetarit Elton Qyno, i akuzuar se ka publikuar akte gjyqësore të mbrojtura nga sekreti hetimor, ngre disa çështje të rëndësishme dhe delikate, që meritojnë të diskutohen:

1-Principi i parë është se gazetari e ka për mision të zbulojë të gjithë sekretet që has në punën e tij për të informuar dhe për të treguar të vërtetën, përfshi dhe sekretin hetimor. Nga ana tjetër, prokuroria dhe gjykatat e kanë si mision garancinë që disa sekrete të ruhen, përfshi sekretin hetimor. Nuk është gazetari ai që shkel sekretin duke publikuar një dokument, por zyrtari që ja ka dhënë (gjykatës, prokuror, polic apo avokat) dhe gjithësesi gazetari e ka për detyrë të mbrojë anonimatin e burimeve të tij. Ndërsa prokuroria e ka për detyrë t’i zbulojë.

Gazetarët dhe prokurorët janë “titulare” të dy të drejtave të njohura me kushtetutë, por të kundërta; ideale do të ishte gjetja e një pike ekuilibri mes dy palëve, duke u mbështetur në respektin dhe në liritë reciproke. Në 45 vitet e punës sime në profesionin e gazetarit, më ka qëlluar të hetohem në Itali për shkelje të sekretit hetimor dhe njëherë më akuzoi (fatkeqësisht për të) pikërisht prokurori që më kishte dhënë lajmin e mbuluar nga sekreti. Nuk i kam mbajtur asnjëherë mëri (dhe natyrisht, nuk zbulova kurrë se ai kishte qenë burimi im), as nuk u ndjeva viktimë se më çoi në një sallë gjyqi, ku në fund dola i pafajshëm.

2-Të jesh gazetar është një mision, nuk është vetëm një profesion. Fakti që SPAK ka urdhëruar kontrollin e shtëpisë, të makinës dhe të redaksisë së Elton Qynos duke e mbajtur 12 orë të ndaluar, është qartësisht një akt ekstrem, por jo për këtë arsye duhet të frikësojë ndokënd. Çdo gazetar e di mirë që misioni i tij parashikon edhe këto rreziqe. Në fund, të përfundosh në prokurori për shkelje të sekretit hetimor, është një medalje në gjoksin e çdo gazetari, pasi në ndryshim nga shpifësit (që gënjejnë), do të thotë se ka shkruar të vërtetën. Dhe Elton Qyno për aq sa e njoh, këtë medalje e ka fituar.

3-Megjithatë rasti Qyno nuk mund të zgjidhet vetëm me këto dy parathënie të karakterit të përgjithshëm. SPAK është në qendër të një cikloni politik pasi për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare, drejtësia guxoi të prekë të paprekshmit. Pushtetarë dhe ish pushtetarë po nisin më në fund të përgjigjen për veprimet e tyre parballë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nëse, nga një anë një palë politike pranon pa reaguar hetimet e SPAK, pala tjetër përpiqet duke i sulur kundër opinionin publik duke mobilizuar jo vetëm deputetët e vet, por edhe gazetarët e vet, mediat që kontrollon.

Krimi i organizuar, edhe ai në rrjetën e SPAK, është gjithashtu i mobilizuar në një fushatë deligjitimimi (sidomos ndaj “të penduarve”) dhe për ta bërë këtë nuk heziton të përdorë “gazetarë” të tjerë të paguar me këtë qëllim dhe të cilëve jo rrallë u kalon dokumente, video dhe informacione ekskluzive me të vetmin qëllim ndotjen e provave ose depistimin e hetimeve. Këta janë të infiltruar të vërtetë të krimit në botën e informacionit.

Duke parë revolucionin që po zhvillohet në drejtësi dhe mjegullën që mbështjell edhe rolin e disa gazetarëve, a është “politikisht” e dobishme nga ana e SPAK të hapë një front të tretë lufte edhe kundër mediave vetëm sepse shkelin sekretin hetimor? Jemi të sigurtë që Elton Qyno është i pari gazetar që meriton me të vërtetë të bjerë në rrjetën e SPAK? Pika e ekuilibrit do të duhej të ishte pikërisht kjo: Asnjë mëshirë për gazetarët e infiltruar nga krimi në botën e informacionit, por respekt dhe tolarancë ndaj gazetarëve të vërtetë.

4-Të godasësh mediat rrezikon të prodhojë edhe një tjetër efekt anësor, që do të thotë t’u dhurosh një argument më shumë të hetuarve (politikanë apo kriminalë qofshin ata) për të përforcuar imazhin e një drejtësie ”integraliste” dhe pak të paanshme (ose më keq të politizuar) që ata përpiqen të krijojnë në sytë e opinionit publik. Eshtë paradoksale të dëgjosh sot Sali Berishën që mbron Elton Qynon si një viktimë të SPAK-ut, kur Sali Berisha është nga ata që urdhëroi arrestime në masë të gazetarëve kritikë me të (disa u goditën, torturuar apo dhe u vranë) kur ai ishte në pushtet. Ndërsa sot, duke mos mundur as të torturojë dhe as të arrestojë, vazhdon të linçojë publikisht gazetarët që nuk janë nën urdhrat e tij, apo që nuk pranojnë paratë e tij.

Për të kuptuar se sa e gabuar është goditja ndaj Elton Qynos, është e mjaftueshme të shohësh sa po gëzohet Sali Berisha. Të transformosh atë që u përcaktua si “armik botëror i shtypit” në flakëtar të informacionit, për SPAK-un është një gafë e pafalshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!