Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Andi Hoxhaj thotë se gjasat janë që Greqia nuk do t’i vendosë veto Shqipërisë për shkak të presionit nga BE. Ai tha se nuk mund të kërkohet ndërhyrje në drejtësi për çështjen Beleri pasi sundimi i ligjit është kushti kryesor që kërkon anëtarësimi në union.
Në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, duke u ndalur tek deklarata e kancelarit gjerman Olaf Scholz, eksperti tha se Gjermania ka kërkuar prej kohësh që të hiqet vetoja, e cila shpeshherë është parë si problematike dhe nuk e ka lejuar unionin që të marrë vendime si një superfuqi.
“BE është cilësuar se nuk po mundet që të marrë vendime si një superfuqi dhe në këtë rast vetoja është parë problematike. Ne do të shkojmë drejt një reformimi të vetos për shkak se mekanizmat e kanë bërë që BE të mos marrë vendime si një superfuqi. Të paktën gjasat janë që nuk ka për të ndodhur dhe ka një presion të madh që Greqia të mos e bëjë këtë një çështje evropiane por të mbetet çështje bilaterale mes Shqipërisë dhe Greqisë. Greqia ka pasur disa qëndrime dhe i ka ndryshuar hera herës.
Më përpara thoshte se do të bllokonte nëse nuk ka lirim, tani thotë nëse s’do të ketë betim dhe ka qenë inkonsistente në atë që ka kërkuar. Kjo është çështje e drejtësisë dhe duhet të lejojmë që SPAK dhe institucionet e tjera të japin fjalën e tyre. Shumë nga vendet e BE-së i kanë kërkuar Shqipërisë një reformim në drejtësi dhe tani le ta lejojmë drejtësinë të hedhë hapat e parë dhe të marrë besimin. Nëse ndërhyjmë atëherë ne shkojmë pas. Kështu që të gjitha vendet e BE janë Greqisë ndaj kësaj qasje dhe do të ketë trysni të jashtëzakonshme ndaj Greqisë.”, theksoi eksperti./abcnews.al