Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Ledion Krisafi thotë se Greqia e ka pranuar faktin që çështja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri i takon drejtësisë dhe nuk i intereson nëse ky i fundit shpallet i fajshëm apo i pafajshëm.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Krisafi u shpreh se Greqia e cilëson betimin e Belerit si çështje politike.
Në lidhje me Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Krisafi shtoi se unioni e ka bërë të qartë qëndrimin e tij, që anëtarësimi i një shteti do të jetë vendim politik dhe gjeopolitik.
“Ky është qëndrimi i Bashkimit Evropian, ka edhe një direktivë nga komisioneri Varhelyi, çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë pjesë e procesit të integrimit, por po ndodh, qoftë Shqipëria me Greqinë, qoftë Maqedonia e Veriut me Bullgarinë para disa vitesh. Pavarësisht se Bashkimi Evropian ka pasur qëndrime, probleme të tilla kanë qenë probleme. Çështja Beleri është shumë më e thjeshtë se ajo që ka Maqedonia me Bullgarinë. Çështja zgjidhet lehtësisht nga një vendim i gjykatave. Historia ka treguar që Greqia, raste të tilla i merr seriozisht. Edhe nëse shohim mënyrën se si ka mbajtur qëndrime në 7 muajt e fundit, Greqia e ka pranuar që është çështje e drejtësisë, nuk pretendon se Beleri është i pafajshëm.
Pretendon se betimi i tij është i qeverisë shqiptare. Pjesa e drejtësisë ka tejkaluar, e ka pranuar. Betimin ose mosbetimin e tij sheh një vendim politik të qeverisë së Tiranës. Greqia pretendon se çështja është politike, kjo është problemi që ka Greqia në këtë rast. Çelja e kapitujve është teknike. Vetë hapja e kapitujve të parë është shumë teknike. Greqia përpiqet t’i tregojë Shqipërisë që edhe një çështje jo jetike si Beleri, mund të ketë probleme të tilla. Greqia, pas hapjes së negociatave do ketë mundësi për të vendosur veto. Kjo është një lloj teke, për t’i dhënë mësim qeverisë shqiptare. Hapja e negociatave është gjë teknike, mund të negociosh për 20 vite.
Çështja Beleri mund të zgjidhet fare lehtë. Por Shqipëria me Greqinë ka çështje më të mëdha se Beleri, që ka 70-80 vjet që ekzistojnë dhe duhet t’i mbyllë nëse do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Nuk pres ndonjë gjë të madhe. Qëndrimi i Bashkimit Evropian është i qartë. Ajo që ka nënkuptuar, është që hyrja e një shteti në Bashkimin Evropian, është një vendim politik dhe gjeopolitik. E njëjta gjë ndodhi me Rumaninë dhe Bullgarinë. Për shkak të luftës në Ukrainë, futja e Ballkani Perëndimor është vendim politik”, theksoi ai./abcnews.al