Washington-Pekin, tani dhe luftë diplomatike

schedule19:58 - 17 Tetor, 2019

schedule 19:58 - 17 Tetor, 2019

Krahas luftës tregtare, që ka ndikuar në tkurrjen e ekonomisë botërore, Uashingtoni dhe Pekini tani janë përfshirë edhe në një luftë diplomatike. Kjo, pasi administrata amerikane ka nxjerrë një seri kufizimesh për aktivitetet e diplomatëve kinezë në Shtetet e Bashkuara.

Diplomatëve kinezë në Shtetet e Bashkuara do t’u duhet të njoftojnë para kohe autoritetet amerikane përpara se të zhvillojnë takime me zyrtarët vendas. Kështu thotë një udhëzim i ri i Departamentit të Shtetit, i cili përfshin edhe vizitat e diplomatëve në institucionet arsimore, si shkolla dhe universitete.

Duke reaguar qeveria kineze deklaroi se Shtetet e Bashkuara po shkelin ligjet ndërkombëtare, por Uashingtoni tha se diplomatët amerikanë përballen me të njëjtat kufizime në Kinë.

Lëvizja e administratës amerikane vjen në një kohë tensionesh mes dy vendeve për shkak të luftës tregtare. Sipas Departamentit të Shtetit, rregullat do të aplikohen për takimet me zyrtarë të pushtetit qendror e lokal, si dhe për vizitat në institucionet arsimore e ato kërkimore.

Një zyrtar amerikan deklaroi se në këtë mënyrë Shtetet e Bashkuara po balancojnë nivelin e lojës diplomatike me Kinën.

“Në Kinë, diplomatët amerikanë nuk kanë akses të lirë në takimet sociale, që janë të rëndësishme për të bërë punën e tyre”, sqaroi zyrtari.

Ndryshe, vijoi ai, diplomatët kinezë deri më sot kanë patur mundësi të shfrytëzojnë shoqërinë e hapur amerikane. Autoritetet në Shtetet e Bashkuara argumentojnë se diplomatëve kinezë nuk u është dashur të kërkonin leje për takimet e tyre, por vetëm të njoftonin Departamentin e Shtetit më parë./abcnews.al