Gazetarja e ABC News, Erisa Zykaj, ka raportuar se, pritet që të fillojë darka e punës e 28 liderëve europianë, të cilët kanë në axhendën e tyre, së pari çështjen e zgjerimit dhe pastaj çështjen e Turqisë.
Deri tani nuk ka patur asnjë lloj ndryshimi, përveç deklaratës së presidentes së re të Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, e cila është shprehur se ka shumë pak shanse, që Franca dhe Holanda të ndryshojnë qëndrimin e tyre lidhur me zgjerimin sonte.
Franca mbetet e palëkundur dhe Macron është shprehur se Shqipëria, duhet të përmbushë 2 kushte themelore sipas planit të Bundestagut. Sipas planit duhet që Shqipëria të zbatojë reformën në drejtësi, dhe të ketë një gjykatë kushtetuese dhe të lartë funksionale, si dhe zbatimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Por ai shkon më larg të kushtëzimit Francez, duke thënë se duhet ndryshuar krejtësisht metodologjia e procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, për ta bërë atë më konkret.
Ka shumë pak gjasa të ndryshohet qëndrimi i Francës, i Holandës dhe i Danimarkës, pasi ata mendojnë se Shqipëria nuk ka rezultate konkrete, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor.
Plani i Francës është që, të lërë një takim në Mars të 2020, duke ftuar Komisionin Europian të japë propozimet e saj për të ndryshuar metodologjinë e procesit të negociatave për anëtarësimin, dhe vetëm atëherë do të gjykojë nëse Shqipëria ka përmbushur dy kushtet që i kanë vënë, dhe të mund të shprehen nëse është vërtetë koha për të dhënë një dritë jeshile.
Vendimi në lidhje me hapjen e negociatave pritet që të jepet përpara orës 15.00 të ditës së nesërme./abcnews.al