Mbrëmjen e sotme në studion e ABC News në rubrikën Intervista me gazetaren Juli Xhokaxhi, ka qenë i ftuar ish-ministri i jashtëm Edmond Panariti. Panariti tha se Shqipëria nuk ka bërë ende asnjë hap, në lidhje me 9 kushtet e vendosura nga Gjermania, për hapjen e negociatave. Sipas Panaritit, PO-ja gjermane është dhënë me kushte të forta, për të cilat ende nuk janë parë rezultate. Ish-ministri gjithashtu tha se, Franca ka paguar një kosto të rëndë, në raport me Shqipërinë, për hapat që janë hedhur drejt integrimit.
Juli Xhokaxhi: iMacron duket se këmbëngul në Jo-në e tij, nëse do të bënim një gjykim të ftohtë dhe të drejtpërdrejtë duhet t’ia kërkojmë përgjegjësinë vetëm Parisit apo kemi përgjegjësitë tona.
Edmond Panariti: Për tju përgjigjur në mënyrë objektive pa asnjë lloj pasioni, supozoni se pozicioni i Francës nuk është në rolin vendimmarrës dhe shihni pozicionet e shteteve që tashmë janë shprehur. Grupi i shteteve tradicionale të cilët vazhdimisht kanë qenë pro hapjes së negociatave e kryesuar nga Italia dhe krejt blloku perëndimor, ke grupin e vendeve skeptike që janë Holanda, e cila është shprehur për JO në parlamentin e saj. Edhe Gjermania është shprehur për PO në paradhomë por jo në dhomë gjithsesi de fakto për 9 kushtet nuk kemi bërë asnjë hap drejt tyre.
Juli Xhokaxhi: Po thoni që Kryeministri Edi Rama po lexon vetëm paragrafin e parë të PO-së së Gjermanisë?
Edmond Panariti: Këtë kam frikë. PO-ja gjermane, nuk kemi asnjë hap për reformën në drejtësi në konstituivin e institucioneve të drejtësisë, nuk kemi ende asnjë hap për dënimin e personave që tashmë janë të evidentuar në dosjet e përgjimit, nuk kemi asnjë hap për proceset hetimore ndaj gjyqtarëve të cilët u përfshinë në procesin e vetingut, nuk kemi asnjë hap për gjykimin nga gjykata kushtetuese të legjitimitetit të zgjedhjeve të 30 qershorit, pra shihni se sa e gjatë është radha e kushteve dhe prandaj po ta lexosh ato që u hapën, e lexon thjesht për ta marketuar politikisht, por ky është një lexim jo realist dhe praktikisht PO-ja gjermane është në një farë mënyre kalim në paradhomë e Shqipërisë dhe Franca nuk do të na fusë as në paradhomë.
Juli Xhokaxhi: Si e shihni deklaratën e Macron kur thotë se me Shqipërinë kemi vepruar gabim?
Edmond Panariti: Franca ka paguar në raport me Shqipërinë një kosto të rëndë. Nëse do të shikoni azilkërkuesit shqiptarë në Francë janë të parët për nga numri i popullsisë dhe të dytët pas afganëve për kërkesat e azilit. Ju e dini që është një problem jashtëzakonisht i rëndë. Është krijuar një stigmë dhe një opinion negativ për Shqipërinë. Pozicioni i Francës duket që është on block kundër Ballkanit perëndimor. Pozicioni i Francës mbetet një pozicion i Veto-s dhe ne futemi në një ngërç të rënduar. Është një dëshpërim për të gjithë popullin shqiptar por sidomos për rininë shqiptare.
Juli Xhokaxhi: Si i shihni qëndrimet e dy kryeministrave ?
Edmond Panariti: Zaev e futi në kuadër të një sfide personale dhe tha që nëse nuk e arrin hapjen e negociatave ai largohet ndërsa Rama tha se diellin do të lindë sërisht dhe jeta vazhdon normalisht, pra janë dy qëndrime krejt të ndryshme të të dyve./abcnews.al