Partia më e madhe opozitare, VMRO ende nuk e ka bërë të qartë nëse do të bëhet pjesë e kabinetit në Maqedoninë e Veriut, por ka bërë të qartë se është kundër emërimit të Talat Xhaferi si kryeministër.
Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, analisti Mersel Bilalli, u shpreh lidhur me këtë situatë nuk ka ende një informacion konkret, por është i bindur që kjo parti do të jetë pjesë e qeverisë teknike.
“Ende nuk ka një informacion konkret në këtë drejtim, unë jam i bindur që VMRO do të jetë pjesë e asaj qeverie teknike. Jam i bindur që do të jenë pjesë, edhe pse qeveria teknike realisht duhet të pushojë, pasi dikur shkaktoj probleme dhe tani është tejkaluar”, tha ai.
Sa i përket çështjes së presidentit, Bilalli deklaroi se Stevo Pendarovski mund të vazhdojë detyrën. Sipas tij, politika në Maqedoninë e Veriut duhet të përqendrohet më shumë te çështje të tjera më me rëndësi siç janë problemet ekonomike.
“Mendoj që është vetëm një fasadë çështja e presidentit. Emrin e të cilit e përmendët nuk është person që do t’i përkushtohet pozicionit të presidentit të shtetit. Kështu që deklaratat e liderave të ndryshëm nuk do i kisha trajtuar shumë. Do i kisha këshilluar që të merreshin më shumë me çështje të tjera më me rëndësi, siç janë problemet ekonomike”, shtoi analisti./abcnews.al