Agjenda e reformës territoriale, Mazniku: Bashkitë kanë nevojë për mbështetje, synojmë të jenë agjentë të zhvillimit ekonomik

schedule14:31 - 8 Dhjetor, 2023

schedule 14:31 - 8 Dhjetor, 2023

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku thotë se shqiptarët i besuan Partisë Socialiste, 54 nga 61 të vendit dhe se 96% e popullisë së Shqipërisë qeveriset nga kryetarë bashkish të kësaj force politike.

Gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste, Mazniku u shpreh se bashkitë kanë nevojë për mbështetje.

Sipas Maznikut, synimi i një agjende të reformës territoriale, është që të kemi bashki të forta që i dalin zot territorit dhe janë agjentë të zhvillimit ekonomik në territorin e tyre

“Dua të kujtoj një fakt të vogël. Para 7 muajsh, shqiptarët i besuan Partisë Socialiste 54 nga 61 bashki. 96% e popullisë së Shqipërisë qeveriset nga kryetarë bashkish të Partisë Socialiste. Partia Socialiste ka një përgjegjësi të madhe, të mendojë për një agjendë. Jemi 10 vjet nga një reformë e jashtëzakonshme administrative të vitit 2014, nga 337 bashki shkuam në 61, duke rritur eficencën, duke sjellë impakt të madh me rilindjen urbane. Duhet të shohim edhe një hap më tej. 70% e ligjeve të BE implementohen në nivel vendor, pjesa më e madhe e financimit implementohet në nivel vendor. Bashkitë tona duhet të jetë të afta për të ideuar dhe implementuar projekte. Elementi i tretë, duhet të ndrrojmë mënyrën se si i shohim qytetet tona.

Puna ka nisur prej disa muajash për një sërë treguesish për performancat e bashkive. Nga kjo paketë, duam të ecim një hap përpara. A i kanë bashkitë kapacitet, burimet njerëzore të duhura? Duhet të rishikojmë mekanizmin e financimit të pushtetit vendor, si shpërndahet granti, a mund të përfitojnë bashkitë më shumë? Të ridiskutojmë së bashku. A kemi një provë që kur bashkitë janë më të mëdha funksionojnë më mirë?. Duke u fokusuar te efektiviteti, kjo është agjenda e reformës. Synimi i përgjishtëm është që të kemi bashki të forta që i dalin zot territorit dhe janë agjentë të zhvillimit ekonomik në territorin e tyre. Këtë gjë mund ta krijojë vetëm Partia Socialiste”, theksoi ai./abcnews.al