Formula 1 ka nisur nga përgatitjet për sezonin e ri që do të startojë më datë dy mars të vitit 2024. Gara e parë do të zhvillohet në cirkuitin e Bahreinit ndërsa së fundmi është përcaktuar edhe kalendari sa i takon garave Sprint për sezonin e ri.
Ashtu si në vitin 2023, edhe në vitin 2024 në total janë parashikuar gjashtë Sprint Race. E para do të “marrë jetë” në pistën e Shanghait në Kinë më datë 21 prill. Ndërkohë, më pesë maj, Formula 1 zhvendoset në Miami ku edhe në tokën amerikane do të zhvillohet Sprint Race.
Sakaq, e radhës është në Austri më datë 30 qershor për të vazhduar më datë 20 tetor në Amerikë, më pas në Brazil më datë tre nëntor dhe për ta mbyllur në Katar më datë një dhjetor të vitit 2024. Në sezonin e ri, sërish favorit për të triumfuar konsiderohet Max Verstappen, tashmë kampion i trefishtë i Botës.
Skuderia RedBull prej kohësh ka nisur punën për përmirësimin e njëvendëshes së holandezit. Nga ana tjetër, Ferrari dhe Mercedes do të provojnë t’i shkaktojnë telashe Verstappen me pilotët e tyre, Leclerc e Sainz dhe Hamilton me Russell. /i.m /abcnews.al