Ngjarja tragjike në Prishtinë, ku disa ditë më parë 30-vjeçarja Liridona Ademaj u vra me urdhër të bashkëshortit të saj Naim Murseli, tronditi opinion publik në Kosovë dhe në Shqipëri
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, aktivistja Trina Binaku tha se vrasja e grave është urgjencë kombëtare dhe se shteti i Kosovës do duhet që ta trajtojë si të tillë.
“Si fillim, doja të thoja se aksioni ynë i djeshëm në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ishte për të cuar nje sinjal, mesazh që do të mbahet një protestë nesër, me thirrjen, nuk ka paqe pa sigurinë e grave. Ka të bëjë me rastet që ne i kemi përjetuar vitet e fundit. Nuk mund të themi gjë tjetër, se vrasja e grave, do duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare. Ashtu duhet të trajohet nga shteti dhe të gjitha institucionet e tjera. Sa i përket zhbërjes, nuk kam një përgjigje të thjeshtë. Organizimi feminist radikal i majtë mund të bëjë ndonjë ndryshim. Kjo betejë është shumë e gjatë dhe kërkon angazhimjo vetëm nga grupet e vogla, por edhe angazhimin e shoqërisë. Ndrysimi bëhet edhe nëpërmjet numrave. Nuk mund të jap një përgjigje të vetme, një pikënisje mund të jetë kjo”, theksoi ajo.
Ndërkaq, aktivisja Xheni Karaj deklaroi se ky fenomen është i përhapur edhe në Shqipëri.
Karaj kërkoi dënime më të ashpra për burrat që dhunojnë dhe vrasin gratë.
“Është një fenomen i përhapur në Shqipëri. Në 2023 kemi pasur 12 gra shqiptare të vrara. Unë po lexoja disa shifra të tmerrshme, 48,800 gra janë vrarë në të gjithë botën. Çdo 11 minuta vritet një grua, për faktin sepse është grua, kryesisht nga partnerët e tyre. Kjo tregon sa të pambrojtura janë gratë, edhe në ambientin familjar. Ndër problematikat kryesore, është mendësia patriarkale. Vajza kryesisht është pronë e babait fillimisht, vëllait dhe më pas përçohet te bashkëshorti kur martohet. Mesazhi që ne i japim kësaj shoqërie, është si familja po dështon t’i mbrojë këto gra, por edhe institucionet po dështojnë. Këto gra, kur marrin guximin të largohen nga dhunuesit e tyre, familjarët i thonë që të kthehen te bashkëshortët e tyre.
Kjo nuk është vetëm një çështje e shoqërisë civile të merret, i përket shtetit. Shteti ka fuqi të ndërmarrë hapat e duhur. Nuk mund të jepen më dënime të zbutura për dhunuesit. Duhet që në sistemin e edukimit, ne kemi kërkuar të përfshihet edukata seksuale, informacion për të ndryshuar steriotipet gjinore. Duhet të ndërmerren hapa për fuqizimin e grave”, nënvizoi Karaj./abcnews.al