Pas disa shtyrjeve, nis regjistrimi i popullsisë në Malin e Zi

schedule07:51 - 4 Dhjetor, 2023

schedule 07:51 - 4 Dhjetor, 2023

Në Mal të Zi, të dielën, nisi regjistrimi i popullsisë, pas shtyrjes disa herë të datës së parashikuar, pas kërkesës së partive opozitare në vend.

Sipas njoftimeve të mëparshme, regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi duhet të kishte filluar më 1 tetor dhe më 30 nëntor, por kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç ofroi shtyrjen e tij për disa kohë, pasi partia opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit Milo Gjukanovç, kërkoi plotësimin e të gjitha kushteve të parashikuara në marrëveshjen e firmosur mes opozitës dhe kryeministrit, për regjistrimin e popullsisë.

“Ka momente, vendime dhe veprime përmes të cilave ne tregojmë se jemi pjekur si shoqëri. Vendimet e opozitës dhe qëndrimi i njehsuar për të, është një hap në atë drejtim, është dëshmi e një vetëdije të re politike në të cilën interesi i shoqërisë dhe shtetit është mbi gjithçka tjetër”, tha me këtë rast zoti Spajiç.

Gjatë ditës së sotme, Administrata Statistikore të Malit të Zi njoftoi se janë plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë.

Monstat u bëri thirrje qytetarëve që “të hapin derën për regjistruesit” dhe “të përmbahen nga deklaratat që nuk ndihmojnë në uljen e tensioneve”.

Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, sipas analistëve është shndërruar në një çështje politike mes grupimeve më të mëdha politike, të pro-malazezëve dhe të atyre pro-serbe. Analistët theksojnë se regjistrimi i popullsisë, që nisi sot, mund të përmbysë strukturën kombëtare të popullsisë në shtetin e vogël ballkanik.

Edhe në raportin e Komisionit Europian, u theksua se regjistrimi i popullsisë dhe banesave kërkon menaxhim të kujdesshëm nga autoritetet, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhet me etninë, fenë dhe gjuhën.

Regjistrimi i fundit i popullsisë dhe banesave u mbajt në vitin 2011 në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, me qëllim të përcaktimit të të dhënave statistikore për popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat.

Ky ishte regjistrimi i parë në territorin e Malit të Zi që nga rifitimi i pavarësisë në vitin 2006.

Rezultatet e regjistrimit treguan se Mali i Zi kishte një popullsi prej 625.266 banorësh dhe 194.795 familjesh. Sa i përket përkatësisë kombëtare mbizotëroi komuniteti malazez me 44,98 %, pasuar nga komuniteti serb 28,73%, nga boshnjakët 8,65% dhe shqiptarët me 4.91%./VOA