Mes 9 deputetëve të grupit parlamentar demokrat në Kuvend vijojnë përplasjet e forta për drejtimin e formacionit politik. Deputeti Korab Lita doli sot në një dalje për media ku njoftoi shkarkimin e Rudina Hajdarit dhe marrjen e drejtimit të grupit prej tij. Në krah të tij, Lita kishte edhe katër deputetë të këtij grupi parlamentar. Ndërkohë që deputetja Hajdari paralajmëroi se për këtë çështje do t’i drejtohet Prokurorisë, pasi sipas saj deputetja Fationa Dhimitri është kërcënuar kur deklaroi se ishte kundër drejtimit të grupit nga Lita.
Grupi parlamentar demokrat ka në përbërjen e tij vetëm 9 deputetë, por beteja dhe debatet dhe përplasjet për të marrë drejtimin e grupit janë të forta. Pas përplasjes virtuale me kryetaren në detyrë të grupit parlamentar, Rudina Hajdari, deputeti Korab Lita foli në kryesinë e Kuvendit si kryetar.
Për të treguar se mbështetjen e tij e ka reale dhe jo virtuale, Lita kishte në krah të tij firmëtarët që e mbështetën për të marrë detyrën e kryetarit, deputetët Alban Zeneli, Halil Jakini, Arben Elezi dhe Fationa Dhimitri.
Prezenca e deputetes Dhimitri në Konferencë vinte 24 orë pasi në zyrën e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi kishte paraqitur shkresën për tu tërhequr nga firma e dhënë për marrjen e drejtimit të grupit nga Korab Lita.
Prezencën e Dhimitrit në konferencë Rudina Hajdari e konsideroi si një presion të pastër që i është bërë deputetes, ndërkohë që paralajmëroi se për këtë çështje do t’i drejtohet Prokurorisë. Pozicionin e saj, Hajdari do ta sqaroj edhe në një dalje për mediat paraditen e të mërkurës në Kuvend.
Në krah të deputetes Hajdari doli edhe deputeti Kujtim Gjuzi, i cili kërkoi t’i jepet fund politikave që gjakosin vendin.
Drejtimi i grupit parlamentar demokrat është kthyer në një telenovelë brenda zyrave të Kuvendit ku vetëm për këtë vendimmarrje në zyrën e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi janë depozituar 4 shkresa të ndryshme./ABC News Albania