Takimi i ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian ka hyrë në një fazë të ndezur të debatit. Gazetarja Erisa Zykaj raporton për “ABC News” se Franca nuk pranon të tregohet fleksibël as për Maqedoninë e Veriut dhe as për Shqipërinë.
Siç u shpreh publikisht para fillimit të takimit, ministrja për çështjet europiane, Amélie de Montchalin insiston, se nuk mjafton aprovimi i reformave të vendosura si kushte për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, por duhet edhe zbatimi i tyre.
Hollanda i bashkohet qëndrimit të Francës; sipas artikulimit të bërë nga ministri Stef Blok, se Maqedonia duhet të aprovojë ligjin për Prokurorinë Special, ndërkohë që Shqipëria ka ende punë për të bërë dhe nuk është gati për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Presidenca finlandeze po përpiqet që të arrijë një kompromis midis ministrave të jashtëm, por deri tani, burime të ndryshme të shteteve anëtare konfirmojnë për ABC News, se arritja e një marrëveshje sot do të ishte tepër optimiste.
“Asnjë nuk pret marrëveshje sot” janë shprehur këto burime për ABC News.
Kjo konfirmohet edhe nga vetë qëndrimi i Francës dhe Hollandës, që flasin së pari për plotësimin e kritereve para së të hapen negociatat me të dyja vendet. /abcnews.al