Një juriste e DRSHTRR në Elbasan është ndaluar nga policia pasi ishtë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fraud” për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.
Nga hetimet dyshohet se 30-vjeçarja, Iva Bodurri ka shpërdoruar detyrën, duke falsifikuar kontrata për pronësinë mbi 3 automjete të marra me qira, të cilat u shitën në kundërshtim me ligjin.
Ndërkohë gjatë këtij operacioni, një ditë më parë Policia arrestoi një 37-vjeçar dhe shpalli një kërkim të tjetër punonjës të DRSHTRR Elbasan, të cilët bashkëpunuan për të shitur në kundërshtim me ligjin, 3 automjete të marra me qira, të cilave iu kishin hequr GPS.
“Si rezultat i kërkimeve të zhvilluara në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ditën e djeshme, pas organizimit të operacionit policor të koduar “Fraud”, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan kapën dhe ndaluan shtetasen e shpallur, 30 vjeçe, banuese në Elbasan, me detyrë juriste në DRSHTRR Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyres” dhe “Fallsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/