Kryeministrja Italiane Giorga Meloni ka komentuar nga Kroacia marrëveshjen e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë sa i përket çështjes se transferimit të emigrantëve që mbërrijnë në shtetin fqinj drejt vendit tonë.
Meloni u shpreh se bëhet fjalë për një marrëveshje inovatore që në të ardhmen mund të merret shembull edhe nga vende të tjera europiane, ndërsa sqaroi edhe polemikat që janë ngritur mbi sfidat ligjore me të cilat mund të përballet kjo marrëveshje.
“Unë shoh shumë nervozizëm rreth kësaj marrëveshje dhe realisht nuk e kuptoj, mendoj se është një marrëveshje inovative, shumë inteligjente e cila duhet parë me interes të lartë. Garancia që në ofrojmë është se çështja e azilit do të trajtohen nën juridiksionin italian edhe pse emigrantët do të jenë jashtë territorit të Bashkimit Europian. Kjo marrëveshje është diçka inovatore që na lejon të përballojmë presionin e emigrantëve të paligjshëm që po vijnë në vendin tonë. Jam e lumtur që Shqipëria po ndihmon Italinë. Falenderoj kryeministrin Rama, kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me të. Ne do të shohim nëse kjo marrëveshje do të funksionojë mirë dhe me pas e gjitha kjo mund të kthehet në një model për kombet e tjera.”
Marrëveshja e arritur mes dy vendeve erdhi pasi Italia po përballet me një fluks të paprecedentë emigrantësh prej më shumë se 1 viti, ndërsa ekipet e kërkim shpëtimit kanë fokusuar punën e tyre në detin Mesdhe për shkak të varkave të shumta me emigrantë që vijnë kryesisht nga vendet afrikane./abcnews.al