Padurimin në situata të tilla e ndesh shpesh në Tiranë. Por trafiku është vetëm një prej rasteve ku gatishmëria për të pranuar sjellje apo mendime që nuk na pëlqejnë lë për të dëshiruar. Toleranca shpesh mungon. Por çfarë mendojnë vetë qytetarët, sa tolerantë janë shqiptarët?
Disa e lidhin me moshën, ndërsa të tjerë me situatat sociale.
“Unë për veten time jam shumë tolerante, sepse jam e vetme, fëmijët i kam jashtë edhe e kam zemrën të thyer, dhe çdo njeri unë e toleroj personalisht, por në përgjithësi shqiptarët janë gjak nxehtë shumë dhe rrallë rrallë shumë e tolerojnë njëri tjetrin”
“Ata janë gjak nxehtë, kanë arsyet e tyre, ne jemi prindërit e tyre, tolerojmë më shumë, falim më shumë”
Shqiptarët sipas sociologëve krenohen me tolerancën fetare, por çedojnë në përditshmëri. Për këtë e kanë dhe një argument.
“Toleranca është në nivele të dobëta të shoqërisë sonë në nivele të së përditshmes. Me shumë vështirësi i hapim rrugë tjetrit, me shumë vështirësi presim që ai të përfundojë argumentin, me kaq vështirësi i japim tjetrit prioritet. Kjo më së shumti lidhet me një element tjetër psiko-social që ka të bëjë thellësisht me kulturën tonë. Duke qenë në një popullatë në zhvillim të vazhdueshëm, njerëzit janë karakterizuar nga nguti, dëshira, etja për ndryshim për përmirësim dhe fare pak janë thelluar në përmirësimin e normave kulturore që të na bëjnë të jemi një shoqëri tolerante.”
Me qëllim që publiku të shohë tolerancën si një element kryesor të shoqërisë Asambleja e Përgjithshme Organizatës së Kombeve të Bashkuara 28 vite me parë shpalli 16 nëntorin si ditën botërore të tolerancës, sipas deklaratës së OKB-s pranimit të faktit se qeniet njerëzorë janë të ndryshme në pamje, pozita, sjellje e vlera e kanë të drejtë të jetojnë ashtu siç janë. Në ditë të tilla ndërgjegjesuese apeli vjen për të reflektuar, për të pranuar dallimet dhe për të respektuar të ndryshmit, pa urrejtje, dhunë, nënçmim dhe me durim./abcnews.al