Deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri thotë se me buxhetin e vitit 2024, ka një rritje të pagave për sistemin shëndetësor dhe se kjo nuk mund të mohohet.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Pampuri u shpreh se megjithë këtë rritje, pagat e sistemit shëndetësor në vend janë më të ulta se në vendet fqinje.
Ndër të tjera, Pampuri nënvizoi se taksimi 23% e profesioneve të lira, godet shtresën e mesme.
“Që ka një rritje për sektorin e shëndetësisë, për të gjithë sistemin shëndetësor, patjetër që ka pasur dhe këtë nuk mund ta mohojmë. Por mos të harrojmë faktin tjetër, që jemi një vend tashmë, njëlloj, mund të barazohemi me vendet e tjera evropiane. Të gjitha çmimet janë si në Evropë, mos më shtrenjtë. Sistemi shëndetësor me këto paga, krahasuar me vendet e Evropës që janë shumë më të larta, prapë mbetet shumë mbrapa. Mbetet shumë mbrapa edhe me vendet fqinje.
Ne kemi një taksim prej 23% për profesionet e lira. Profesionet e lira janë pikërisht shtresa e mesme e shoqërisë. Këto profesione të lira, duke u taksuar me 23%, goditen dhe goditen jo pak. Nuk jam kundër taksave. Problemi këtu qëndron sesi menaxhohen dhe sa shërbime marrin mbrapsht qytetarët nëpërmjet këtyre taksave”, theksoi ajo./abcnews.al