Fatos Mahmutaj, gazetari i cili u plagos në protestën e 21 janarit 2011, ku u vranë 4 protestues, deklaroi se ish kryeministri Sali Berisha do e mbyllë jetën në burg dhe po ndjen makthin e prangave, pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, që bën përgjegjës shtetin për vrasjet.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Mahmutaj u shpreh se më 21 janar, u qëllua me 30 armë të ndryshme drejt turmës.
Sipas Mahmutajt, Berisha fshehu autorët e 21 janarit si dhe shkatërroi provat.
“Janë qëlluar nga dy drejtime njëkohësisht. Është qëlluar nga pjesa më e madhe e gardistëve dhe policëve brenda Kryeministrisë. Pjesa më e madhe e tyre qëlluan në ajër. Janë 30 kamera televizionesh që i kanë regjistruar. Drejt grupit ku isha unë, ka qëlluar një gardist që ishte te kati i nëndheshëm, në të njëjtin moment, nga tarraca e Kryeministrisë, dikush tjetër ka qëlluar me pistoletë. Pra, njëri qëllonte me automatik të shkurtër, MP5 dhe një tjetër qëllonte me pistoletë nga tarraca e Kryeministrisë. Kjo është e gjitha, është qëlluar nga dy drejtime dhe në të njëjtin moment.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Strasburgut është ogur i mirë për drejtësinë shqiptare, nëse ka mbetur drejtësi. Berisha urdhëroi 21 janarin. Nga mediat mësova se Berisha kishte bërë deklaratë se aty ishte 21 janari, ta hetonin. Është shumë i çuditshëm ky person. Ky është kryekëput një palaço, gënjen kaq hapur. Është ky njeri që fshehu gardistët, fshehu autorët, sulmoi ish kryeprokuroren Ina Rama, ish presidentin Bamir Topi, shpalli puçist një grup gazetarësh, akuzoi që ishin vrarë me çadra psitoletë. Ky njeri ka tentuar të vrasë njerëz të tjerë dhe t’ia hedhë fajin ish kryetarit të atëhershëm të opozitës, kryeministrit aktual, Edi Rama. Ky është aq i paskrupullt. Kjo mënyrë e të folurit, është sepse po e ndjen lagështirën e prangave. Herët a vonë do të futet në burg, do e kalojë jetën në burg. Le të kërkojë azil sa të duash në Francë, do e kalojë jetën me turp në burg.
Kush i zhduku provat, pse nuk dha hard diskun e Kryeministrisë, pse sulmoi gjykatat. Aty kanë qëlluar 30 njerëz me armë. Nga dy karikatorë, nga 30 fishekë, rreth 2 mijë fishekë të shkrepura. Më 22 janar, ushtarët e gardës trajtonin në mënyrë skandaloze hetuesit dhe prokurorët, nuk i linin që të mblidhnin prova. Drejtësia shqptare nuk ka pasur vullnet për ta zgjidhur këtë çështje. SPAK duhet të rihapë çështjen. Prova, dëshmitarë ka sa të duash. Aty nuk mungon asnjë lloj gjëje për ta ribërë dosjen dhe për të lënë anash provat e manipuluara”, theksoi ai./abcnews.al