Buxheti për infrastrukturën, Balluku: Tuneli i Llogarasë, gati në qershor 2024

schedule20:50 - 10 Nëntor, 2023

schedule 20:50 - 10 Nëntor, 2023

Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belina Balluku, foli për projektet aktuale, duke u ndalur edhe tek investimet strategjike. Balluku u shpreh se infrastruktura është prioriteti kryesor, duke shtuar se tuneli i Llogarasë që në qershor 2024, do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Pyetje: Keni thënë se përparësi do të jenë projektet aktuale, por a do të kemi kantiere të tjera që hapen vitin e ardhshëm, projekte kyce në infrastrukturë energji por edhe në gjithë sektorin që ju mbuloni?

Përgjigje: Patjetër, infrastruktura është prioriteti i ministrisë që unë drejtoj dhe pavarësisht se ne kemi vënë prioritet për të mbyllur të gjitha investimet strategjike siç është tuneli i Llogarasë që në qershor 2024, do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë drejtuesit e automjeteve, por padyshim do të hapim edhe projekte të reja. Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, është një nga projektet më të rëndësishme. Është e detyrueshme që kjo autostradë do të zgjerohet. Do të zgjerohet me dy korsi, një korsi nga secili krah dhe me dy korsi emergjence nga secili krah, duke e sjellë në parametrat e një autostrade të mirëfilltë duke qenë se sot është një kategori B, por ne kërkojmë që të jetë pjesë e integruar e korridorit blu dhe të korridorit të tetë. Do ketë edhe projekte të tjera, sic është baypass i Elbasanit, që kemi ‘luftuar’ me ministrinë e ekonomisë për ta mbajtur. Nga ana tjetër, do të ketë edhe vazhdime të loteve që janë hapur tashmë, sic është Berat-Ballaban, apo sic janë segmentet tjera të korridorit të tetë, për të lidhur autostradën që vjen nga Tirana, Elbasani por edhe rrugën që vjen nga Rrogozhina me kufirin dalës. Javën e ardhshme do të ketë një komitet teknik mes dy palëve, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, dy autoritetet rrugorë së bashku me kompani që ndërtojnë do të ulen në tryezë për të bërë edhe përputhshmërinë e kuotave, pra ku do takohen autostrada e Maqedonisë së Veriut me atë shqiptare. Mund të themi se korridori tetë është një nga projektet më të avancuara dhe nga ana tjetër, do të vijojmë me disa projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e sigurisë rrugore. Do të nënvizoja edhe një projekt që për ne është mjaft i rëndësishëm që është ngritja e qendrës së monitorimit. Do të kalojë në fazën e saj të dytë, vitin e ardhshëm do të ndërtojmë sistemin e parë të monitorimit që ka të bëjë edhe me tunelin e Llogarasë edhe sistemin e pagesës. Në energji vijojmë me të gjitha projektet që kemi nisur, por në fushën energjetike, c’ka është më e rëndësishme është përmirësimi I kapaciteteve të transmetimit dhe të shpërndarjes. Unë e them shpesh pasi kur flasim për ulje teknike ka një kosto financiare. Pra, nëse arrijmë humbjet teknike që I gjetëm me 45% nëse kemi arritur në 19.7% deri në vitin e kaluar, ne synojmë të shkojmë 18.7 % këtë vit, por 1 % ulje ekuivalon 8 milion euro për OSHEE që përkthehen në investime dhe këto investime janë një benefit për të gjithë abonentët e rrjetit. Nga ana tjetër do të lancojmë dy ankande të mëdha duke filluar nga fundi I këtij viti që do pasoje më të gjithë procedura vitin e ardhshme, për dy parqe fotovoltaike njëra do të jetë 150 mega dhe tjetra synojmë të jetë mbi 300 duke iu shtuar kështu paketës së diversifikimit të burimeve energjiteke dhe duke na dhënë patjetër mundësi që në 2029 ne të realizojmë qëllimin që i kemi vënë vetes, për t’I shtuar prodhimit shqiptar 4 terravat, dhe duke e çuar Shqipërinë nga një vend importues neto në një vend eksportues neto./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!