Progres raporti i KE-së për Shqipërinë/ Balluku: Vlerësim i asaj që kemi arritur përmes reformave

schedule11:18 - 9 Nëntor, 2023

schedule 11:18 - 9 Nëntor, 2023

Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, në një deklaratë për mediat, e cilësoi raport progresin e KE-së për Shqipërinë si më pozitivin. Balluku theksoi se raporti tregon ecurinë e mirë të reformave të ndërmarra nga qeveria dhe rezultatet e tyre konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.

“Me kënaqësi të madhe konstatojmë se ky raporti është më pozitiv i hartuar ndonjëherë për vendin tonë dhe që përfaqëson në mënyrë të drejtpërdrejtë ecurinë shumë të mirë të reformave të thella që ne kemi ndërmarrë dhe rezultatet e tyre konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit.

Ky raport është një vlerësim real, i drejtë dhe krejtësisht i pavarur i asaj që Shqipëria ka arritur përmes reformave ligjore, institucionale dhe ekonomike, efektet e të cilave janë në sytë e qytetarëve tanë por që marrin një rëndësi edhe më të madhe kur certifikohen nga BE që së bashku me SHBA, janë partnerët tanë kryesorë strategjikë. Nga korriku i vitit 2022 dhe deri më tani, Shqipëria dhe

Komisioni Evropian kanë zhvilluar fazën e parë përgatitore pas çeljes së negociatave, atë të shqyrtimit analitik të BE-së. Sikurse evidentohet edhe në raport, nën koordinimin e krye negociatores dhe strukturave të reja të reformuara për negociatat e BE-së, institucionet shqiptare kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t’u angazhuar aktivisht në procesin e shqyrtimit dhe për t’u përgatitur për hapat e ardhshme të negociatave të anëtarësimit”, u shpreh Balluku./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!