Kuvendi ‘në tym’ prej flakadanëve/ Balla-deputetëve: Po kryeni vepër penale, mos u përdorni ‘mish për top’ për hallin e një personi të vetëm

schedule10:17 - 9 Nëntor, 2023

schedule 10:17 - 9 Nëntor, 2023

Në kushte të pazakonta, në në sallë të mbushur me tym për shkak të flakadanëve të ndezur nga deputetët mbështetës të Sali Berishës, u zhvillua seanca plenare e kësaj të enjteje.

Ndërsa mori fjalën në seancë, ministri i brendshëm Taulant Balla iu kërkoi deputetët të Foltores të mos përdoren për interesa personale të kryetarit të tyre, I cili sic tha Balla për 33 vite ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë.

Ndër të tjera, ministri i Brendshëm i kujtoi deputetëve që hodhën tymuese në seancë se hedhja e tyre në ambjente të mbyllura, përbën vepër penale.

“Thirrja ime ndaj pjesës më të madhe të deputetëve, mos u keqpërdorni nga interesi dhe halli personal i një njeriu të vetëm. Ky njeri e ka marrë peng PD prej 30 vitesh. Kjo që ndodh sot në sallë nuk ka të bëjë me parlamentarizmin. Meqë kërkoni komisione hetimore, pse nuk mblidhni firma të shkoni në gjykatë kushtetuese.

Nëse vendos se iu është mohuar e drejta jam dakord. Mos harroni se detyra e Kuvendit është zbatimi i Kushtetutës. Mos u përdorni për interesin personal të individit, nuk kam asnjë keqardhje për individin por për imazhin e keq që po i bëni Shqipërisë.

Ai njeriu prej 33 vitesh është munduar të dëmtojë sa të ketë mundësi imazhin e Shqipërisë, por tashmë është përpjekje e dështuar. Vendosja e flakadanëve është vepër penale, mos u bëni mish për top për hallin e një personi të vetëm.” tha Balla.

Fjala e plote: 

Sot është një seancë e veçantë sepse pjesa më e madhe e projektligjeve janë propozime që vijnë nga deputetët e opozitës dhe natyrshëm që do të ishte e udhës që deputetët e opozitës të merrnin fjalën dhe të shpjegonin qëllimet për të cilat kanë marrë këto iniciativa ligjore. Në fakt deputeti ligjvënien dhe propozimin për ligje e ka detyrën e tij primare.
Kjo pamje tregon që këtë punë nuk e keni marrë kurrë seriozisht. Fakti që nuk pranoni të prezantoni projektligjet që keni propozuar vetë, e përkeqëson marrëdhënien tuaj me njerëzit sepse në fund të fundit, secili prej jush, kush më shumë e kush më pak, se ka dhe deputet që kanë ardhur me 364 vota në këtë sallë, e megjithatë keni detyrën që ta ushtroni mandatin që ju ka ngarkuar populli me përgjegjshmëri.

Thirrja ime ndaj pjesës më të madhe të deputetëve që janë në krahun e djathtë të kësaj salle, ju lutem , mos u keqpërdorni nga interesi dhe halli personal i një njeriu të vetëm. Ky njeri e ka marrë peng PD-në prej 33 vjetësh.
Kjo që ndodh sot këtu nuk ka të bëjë fare as me parlamentarizmin, as me kërkesat e opozitës, sepse meqenëse kërkoni komisione hetimore parlamentare, përse nuk mblidhni 28 firma dhe ta çoni ankesën tuaj në Gjykatë Kushtetuese?! A i keni ezauruar ju të gjithë instrumentet ligjorë për të shkuar në Gjykatë Kushtetuese? Apo keni harruar që Gjykata Kushtetuese jua ka rrëzuar kërkesat?! Shkoni çoni kërkesën në Gjykatë Kushtetuese dhe në rast se Gjykata Kushtetuese do të vendosë që ju është mohuar e drejta, jam plotësisht dakord. Por mos harroni asnjëherë që detyra e Kuvendit është pikë së pari zbatimi i Kushtetutës, së dyti është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

E pra ne nuk i vemë kurrë në dyshim vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Na ka ngarkuar Gjykata Kushtetuese se që të rishikojmë ligjin për komisionet hetimore.
Prandaj është e rëndë që deputetë të opozitës të përdoren për interesin personal të një individi.
Por dëmi më i madh është imazhi i keq që ju doni t’i bëni Kuvendit të Shqipërisë.
Shqipëria sot mbylli tetorin me 9 milionë vizitorë turistë. Dhe ne presim që deri në 31 dhjetor, Shqipëria të ketë plot 10 milionë turistë.
Ai njeriu ka 33 vjet që është munduar të dëmtojë sa të ketë mundësi, imazhin e Shqipërisë. Por ta harroni ju se Shqipëria mund të kthehet më pas.

Shqipëria e ka marrë vendimin e vet. Vetëm përpara, nuk kthehet më prapa.
Përpjekja juaj për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë është një përpjekje e dështuar.
Prandaj, duke e përmbyllur, dua t’i kujtoj disa prej deputetëve që u përfshinë në akte të paligjshme, vendosja e flakadanëve e lëndëve kimike në salla të mbyllura dhe të hapura në se doni, është një vepër penale.

Mos fol ti që shkoje dhe i bëje presion ushtarakëve për të firmosur, ti mos fol! Ti duhet të jesh në bankën e të akuzuarve, por përfiton për shkak të parashkrimit.
Ti që je përdorur për t’u bërë presion ushtarakëve, ti je i fundit. Dhe natyrshëm si të kanë përdorur do të vazhdojnë të përdorin, nuk flas për ty. Unë flas për deputetë të ndershëm të cilët sot po keqpërdoren për hallin e atij dhe hallin tënd. Prandaj deputetë mos përdorni lëndë kimike në sallën e kuvendit! Mos u përdorni mish për top për hallin e një personi të vetëm!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!