Arturo Vidal e ka të qartë objektivin për këtë sezon. Luftëtari i Barcelonës ndodhet në formë të mirë dhe ka arritur të integrohet në lojën specifike të ekipit katalanas. Mesfushori u transferua nga Bayerni verën e vitit 2018 dhe sezoni i parë në Spanjë nuk ishte aspak i thjeshtë.
Vidal punoi fort dhe sot po korr frytet e punës dhe këmbënguljes së fortë. Elozhet janë shtuar dhe futja e tij në pjesën e dytë ndryshoi ndeshjen kundër Interit. Në një prononcim për spanjollen Sport, 32-vjeçari zbulon ëndrrën e tij. Ajo është fitmi i Champions League, një trofe që mungon prej vitit 2015 në klub.
OBJEKTIVI – “Ëndërroj finalen e Stambollit dhe ekipi dëshiron të arrijë këtë objektiv. E ndjejmë se ky do të jetë sezoni ynë. Barcelona ka nevojë për trofe të tillë. Ndihem mirë për momentin, por gjithmonë kam dhënë maksimumin për të ndihmuar shokët. Më bëjnë krenar elozhet e Messit dhe të tjerëve, shpresoj që të vazhdoj të luaj mirë.”
VËSHTIRËSITË – “Fillimi ka qenë i vështirë, të luash në skuadrën më të fortë në botë duhet të jesh gjithmonë gati. Pavarësisht karakteristikave të ndryshme me kolegët e repartit, gjithmonë kam tentuar të bind trajnerin që të besojë tek unë.”
E ARDHMJA – “Jam i lumtur te Barcelona dhe dua të kem një rol të rëndësishëm këtu, ashtu siç kam bërë në skuadrat e tjera. Nuk dua të lëviz, por nëse dal jashtë planeve të klubit dhe trajnerit, largimi mund të shtrohet si mundësi. Mund t’i jap akoma shumë Barcelonës.” /abcnews.al