Moti i keq ka përfshirë kryqytetin që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Reshjet intensive të shiut shkaktuan trafik të rënduar dhe vështirësi në lëvizje të qytetarëve.
Kjo ishte situata në Tiranë në orët e para të mëngjesit. Shumë rrugë u mbushën me ujë.
Sa orë keni qëndruar në trafik sot? 3 orë e gjysmë
Reshjet me intensitet të larta do të vijojnë deri mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa situata përmirësohet të enjten.
“Deri në orët e vona të mbrëmjes kemi reshje pothuajse në të gjithë territorin shqiptar. Do të ketë reshje me intensitet, edhe pse ka herë pas here ndërprerje të tyre. Pothuajse e gjithë ultësira perëndimore, Lezha, Shkodra, Tirana, qarku i Vlorës dhe Gjirokastra, e gjithë dita e sotme me rrebeshe shiu, do kemi stuhi ere kryesisht në brigjet e Vlorës, por edhe në Adriatik.”
Sipas sinoptikanëve e premtja do të sjellë sërish reshje dhe madje rrebeshe në të gjithë vendin.
“Dita e premte do të sjellë reshje me intensitet mesatar dhe të larta në të gjithë territorin, duke filluar nga mesdita. Do të kemi rrebeshe, pothujase të gjithë qytetet e ultësirës perëndimore do të raportojnë probleme. Toka është e ngopur me lagështirë, reshjet e sotme do luhaten deri në mbi 80 mm, është një sasi e konsiderueshme në një kohë të shkurtër. Do ketë reshje të premten dhe të shtunën, do ketë ndërpreje ditën e dielë, do rinisin të hënën.”
Sipas institutit të gjeoshkencave reshjet do të jenë me intensitet mesatar deri në mesnatë, ndërsa problematike në orët në vijim do të jetë era e fortë kryesisht në brigjet detare. Përkeqësimi i motit sjell edhe uljen e ndjeshme të temperaturave.
Sipas sinoptikanëve të dielën parashikohet të ketë ndërprerje të reshjeve të shiut./abcnews.al