Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani është shprehur se marrëveshja e nënshkruar me Shqipërinë për emigrantët e paligjshëm është në përputhje me rregullat e BE-së. Këtë koment ai e bëri duke folur për gazetarët në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm të G7 në Tokio.
“Marrëveshja e nënshkruar me shtetin shqiptar respekton të gjitha rregullat e komunitetit, shumë të ndryshme nga marrëveshjet e tjera që janë bërë nga vendet e tjera. Ajo synon të ketë siguri maksimale dhe të sigurojë që ata që nuk kanë respektuar rregullat dhe nuk kanë të drejtë të hyjnë në Itali, mund të të shoqërohen përsëri në vendet e tyre të origjinës.
Në ato porte mund të shkojnë vetëm anijet ushtarake italiane dhe jo anijet e OJQ-ve. Në ato qendra mund të shkojnë vetëm personat që nuk janë të mitur ose gra shtatzëna. Kjo është një marrëveshje e shkruar në përputhje të plotë me rregullat e komunitetit dhe besoj se është një zgjedhje pozitive”, tha ai.
Marrëveshja u njoftua dy ditë më parë nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në një konferencë për shtyp të zhvilluar së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, e cila ka të bëjë me menaxhimin e flukseve migratore. Marrëveshja parashikon ngritjen e qendrave të emigrantëve në Shqipëri që mund të përmbajnë deri në tre mijë persona./abcnews.al