Deri tani e kemi parë në pistë.
Kush nuk e njeh Luiza Gegën, kampionen e madhe shqiptare në garat botërore, europiane, mesdhetare apo ballkanike, veçse tani ajo ka vendosur të ndryshojë disiplinë.
Pas triumfeve radhazi si kampione e Europës si individe dhe si ekip, pasi medaljes së artë mesdhetare dhe pas vendit të pestë vjet në Kampionatin Botëror në SHBA, veterania e atletikës do të provojë krosin ballkanik. Flasim për garën e kros kauntrit, pra vrapimi në terren natyral pyjor dhe kodrinor, një itinerar I veçantë që nuk ka qenë aspak në programin e saj gjatë gjithë karrierës.
Konkurrimi do të jetë në 11 nëntor në qytetin bullgar, Pirdop. Trajneri i saj, Taulant Stërmasi, njëkohësisht president I Federatës Shqiptare të Atletikës, tregon për televizionin se synimi I Gegës është vendi I parë, pra medalja e artë.
Pasi është shpallur disa herë kampione e Ballkanit në disiplinat e saj, atletja kuqezi do të kërkojë një titull ndryshe në Gadishull. Është interesant fakti se po në Bullgari, Shqipëria ka fituar medaljen e parë dhe të vetme të artë në krosin ballkanik.
Kjo ndodhi në 1966 kur skuadra e femrave e përbërë nga Elisabeta Muço, Lumturi Markolaj dhe Adile Dali doli kampione në Varnë nën drejtimin e trajnerit Sokol Morina.
Ekipi shqiptar la pas Jugosllavinë e fortë që udhëhiqej nga kampionia e Europës, legjenda e ndjerë Vera Nikoliç./ h.ll/abcnews.al