“Me çeljen e negociatave kalojmë në nivel tjetër”, Rama: Vitin e ardhshëm do ta ulim borxhin publik nën 60%

schedule16:57 - 3 Nëntor, 2023

schedule 16:57 - 3 Nëntor, 2023

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria është gjithmonë e më e respektuar në arenën ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së tij në “Asamblenë e zgjeruar të PS”, Rama u shpreh se vendi ynë ka një nga ekonomitë më rezistente në rajon, duke iu referuar edhe deklaratës së misionit të FMN.

Sipas Ramës, me hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, Shqipëria do të kalojë në nivel tjetër.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë shtoi se aktualisht, borxhi publik është 60% dhe synohet që vitin e ardhshëm të ulet nën këtë shifër.

“Shqipëria sot, është gjithmonë e më atraktive dhe gjithmonë e më e respektuar, jo sepse ka një pamje të bukur, por pas asaj pamje të bukur, kanë ndodhur gjëra shumë të rëndësishme. FMN në misionin e saj të fundit, theksoi se Shqipëria, sot ka një ekonomitë me rezistente në rajon. Të kesh një ekonomi rezistente sot, brenda, natyrisht, kapacitetit që ke, nuk është diçka që e kanë të gjithë. Agjencia e vlerësimt të shteteve, bëri pas 7 vjetësh, një tjetër rritje të rëndësishme, në vlerësimin e Shqipërisë, duke e kaluar nga vlerësimi B+ stabël, në vlerësimin B+ me perspektivë pozitive. Nëse ne do të vazhdojmë të ecim përpara si deri tani, me uljen e borxhit, dhe me çeljen e negociatave, ne bëhemi një shtet që mund të marrë së shpejti, vlerësimin dhe të kalojë në 2B. E kemi përsëritur gjithmonë, por duhet përsëritur gjithmonë, sepse është shumë e rëndësishme që disa gjëra të mos hiqen nga arsyetimi, për të kuptuar që çfarë kemi bërë, deri ku ka qenë kufiri i mundësive dhe çfarë mund të bëjmë më tutje.

Kemi pasur goditje të forta, të njëpasnjëshme, si tërmeti dhe pandemia. Ndryshe nga vendet e tjera, rreth e rrotull, që janë vende të BE, ne dhe 5 vendet e Ballkanit Perëdimor, që nuk jemi vend anëtar të BE, nuk kemi pasur mbështetje financiare ekstra nga BE, ose më saktë, mbështetje të konsiderueshme. Jemi falenderues, por në krahasim me fqinjët që janë në BE, janë të papërfillshme. Borxhi ynë shkoi deri në 75%. Sot që flasim, me buxhetin e vitit 2024, ne jemi pothuajse në 60%, pra kemi një ulje me 15% të borxhit.

Projeksioni ynë, është që vitin e ardhshëm, ne do të zbresim nën 60%. Ndërkohë që çmimi i energjisë u rrit në mënyrë të frikshme, për të gjithë, jo për ne, asgjë nga kjo rritje e frikshme e çmimit të energjisë, nuk është reflektuar në faturën e dritave të asnjë familje shqiptare, sepse kemi vënë në dispozicion një volum të konsiderueshëm lekësh, çdo familje duke e paguar nga arka e shtetit, diferencën që vinte nga rritja e imponuar nga kriza. Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon dhe nën mesataren e BE. Jemi me 4.1% dhe vitin e ardhshëm do të kthehet në normaliteti e para krizës”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!