Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se Sfida e vetëpastrimit të policisë, nuk është një sfidë vetëm e policisë së shtetit shqiptar, por edhe e vendeve të tjera.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Balla u shpreh se ka pasur shumë operacione policore, të cilat janë tradhtuar nga brenda policisë. Kjo sipas ministrit, për shkak të rrjedhjes së informacionit.
Ndërkaq, Balla shtoi se është zbuluar një rast të një trafiku ndërkombëtar lëndësh narkotike, mes Shqipërisë dhe një vendi fqinj, dhe nuk pati asnjë dekonspirim të këtij operacioni.
“Sfida e vetëpastrimit të policisë, nuk është një sfidë vetëm e policisë së shtetit shqiptar. Gjatë një bisede me sekretaren Braverman, ndamë të njëjtin vlerësim që edhe në Britani ajo është e angazhuar në procesin e vetëpastrimit të policisë dhe besoj që kjo është diçka që e diskutoj shpesh me të gjithë homologët e vendeve të Bashkimit Europian, por jo vetëm. E vërteta është që ka ekzistuar dhe ekziston edhe për shkak të fenomenit të familjaritetit, mungesa e një ndarjeje të qartë dhe mungesa e respektimit të kodit etik, dhe të ligjit lidhur me kontaktet që mund të ketë një drejtues apo efektiv çfarëdo i policisë. Është e patolerueshme që një drejtor i një drejtorie vendore, të shfaqet në publik, në prani të personave që janë subjekt i punës së policisë, i regjistruar në regjistrat e punës së përditshme. Kjo jo vetëm që prish kredibilitetin, por në çdo rast nxjerr informacionin.
E vërteta është që kemi patur shumë operacione policore të cilat janë tradhtuar nga brenda policisë për shkak të rrjedhjes së informacionit. Ju e dini se dokumentimi i shumë aktiviteteve kriminale varet shumë nga befasia, momenti i parë i kontrollit ku mund të gjesh informacione të vyera. Unë mund të ndaj me ju faktin që ne kemi zbuluar një rast të një trafiku ndërkombëtar lëndësh narkotike, mes Shqipërisë dhe një vendi fqinj për fatin e mirë që për asnjë moment nuk pati asnjë dekonspirim të këtij operacioni nga ato që kemi gjetur mund të shkojnë për të zbuluar plot ngjarje të tjera kriminale. Raste si këto do të kemi edhe në ditët në vijim”, theksoi ai./abcnews.al