Zëvendës ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës në Kosovës, Avni Zogiani, në një intervistë për “Ballkan Update” komentoi zhvillimet në veri dhe draft statutin për asociacionin, të propozuar nga ndërkombëtarët, për të cilin ambasadori amerikan theksoi se është në përputhje me Kushtetutën.
Ai thotë se çështja e komunave me shumicë serbe është deleguar tek ndërkombëtarët, me shpresën se do të ketë një zgjidhje të drejtë. Sipas tij, ka pasur një mungesë të vullnetit nga ana ndërkombëtare për ta trajtuar seriozisht situatën dhe se shumë vendime janë marrë nën presionin e kohës.
“Ka qenë e provuar tashmë se nuk është po afrohet një zgjidhje nga diplomacia perëndimore. Po afrohet në vazhdim të status quo-së të cilën e ka kuptuar Kurti dhe Vetëvendosje që herët dhe gjithmonë ka folur për një qasje tjetër, për një rol më aktiv të shtetit të Kosovës në komunat veriore. Edhe duke qenë kështu, se VV dhe kryeministri Kurti për një kohë të gjatë ka qenë i hapur, i drejtpërdrejtë, me atë se çfarë mendimi ka për këtë çështje, njerëzit nuk janë të befasuar me atë qasje që është e ndryshme nga ajo që ka ndodhur sot. Dhe njerëzit e pranojnë si diçka të natyrshme dhe për të cilën kanë votuar në fund të fundit. Tani a do të jetë kjo zgjidhja? Në këto çështje, mendoj se më së paku duhet të vrapohet sepse janë çështje të cilat rregullohen tani. Nuk mund të kthehemi dhe marrëveshja e 2013 dhe 2015 nuk është e favorshme për shtetin e Kosovës. Prandaj shumë shpesh vendime të tilla në Kosovë janë marrë nën presionin e kohës. Shumë shpesh në Kosovë ka pasur kompromise, lëshim peri sepse janë zgjedhjet në Serbi dhe të krijojmë një favor për një aktor të caktuar në Serbi dhe hajde të bëjmë një marrëveshje që në thelb ka qenë një lëshim peri. Kështu që në vazhdimësi ka pasur një rrezik të faktorit kosovar, një delegim të kësaj çështjeje tek diplomacia perëndimore dhe një mungesë të vullnetit të diplomacisë perëndimore për ta trajtuar seriozisht këtë situatë.“, u shpreh Zogiani.
Ai thotë se duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me obligime nga të dyja palët.
“Nuk e ka luksin dhe nuk po e hedh Kosova por Kushtetuesja. Ne po të bëjmë një marrëveshje që duhet të jetë gjithëpërfshirëse, që të ketë edhe obligime ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar por nuk do të vazhdojë më siç ka qenë gjithmonë rëndom pothuajse pa pjesëmarrjen e faktorit politik kosovar, thjesht pjesëmarrje proform, kemi një situatë ku përcaktohen edhe obligimet e Serbisë dhe me njërën anë.”, shtoi ai.
I pyetur për zgjedhjet që priten të mbahen në dhjetor në Serbi, ai tha se pavarësisht gjithçkaje, linnja serbe karshi Kosovës nuk do të ndryshojë.
“Mendoj që linja politike serbe nuk do të ndryshojë. Ka pasur një linjë të ndryshme në kohën e Gjingjiç, i cili u vra. Më tutje s’ka pasur asnjë ndryshim pavarësisht prej zgjedhjeve. Domethënë nuk pres ndonjë ndryshim të qëndrimit zyrtar të shtetit të Serbisë në raport me Kosovën pavarësisht se kush vjen në pushtet. Do të ketë ndryshime në qasje për sa i përket pyetjes themelore pranimit të Kosovës, nuk shoh ndonjë mundësi që të ndryshojë qëndrimi. “, u shpreh ai./abcnews.al