Forma e keqe, të cilët “Djajtë e Kuq” të Manchester United janë duke kaluar, nuk mund të lihet pa u vënë re as nga “rivalët” e përjetshëm të “të kuqve”, por edhe nga ish-“legjenda” të stolit e fushës së blertë, në Premier League.
Ndër këta të fundit është edhe ish-tekniku i Arsenal, i vetmi që ka fituar kampionatin anglez, pa asnjë humbje, Arsene Wenger, i cili në një koment të shkurtër për mediat u shpreh se i vjen keq për atë çka po kalon një klub kaq i madh si United.
“Në fund të fundit, më vjen keq për një klub kaq të madh, sepse nuk ka shpresë. Në thelb nuk e shoh se ku mund të përmirësohen. Ky ekip sot ka humbur besimin, cilësinë dhe madje edhe shpirti luftarak është zhdukur”,- u shpreh ish-“strategu” francez, pas humbjes së “Djajve” në derbin ndaj “qytetarëve”.
Ndërkaq, kritikat e tij për lojën e “Djajve” e në veçanti për kapitenin e skuadrës, Bruno Fernandes i ka bërë edhe “legjenda” e mesfushës së klubit, Roy Keane, i cili u shpreh se nëse do të ishte ai trajneri i skuadrës do t’ia hiqte shiritin e kapitenit.
“Unë patjetër do t’i hiqja shiritin e kapitenit. E di që është një vendim i rëndësishëm, por Fernandes nuk është kapiten: ai është një lojtar i talentuar, nuk ka dyshim për këtë, por unë mendoj se ai ankohet shumë, vazhdimisht ngre krahët në ajër, për t’u ankuar, dhe kjo nuk është e pranueshme. Është e kundërta e asaj që pres nga një kapiten”,- u shpreh “legjenda” e United. /i.m /abcnews.al