Sezoni turistik 2023, Rrumbullaku: Këtë vit, angazhimi i Policisë së Shtetit ka qenë tejet e veçantë dhe shumëdimensional

schedule09:53 - 1 Nëntor, 2023

schedule 09:53 - 1 Nëntor, 2023

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në fjalën e tij gjatë aktivitetit  për sezonin turistik 2023, u shpreh se këtë vit angazhimi i Policisë ka qenë tejet i veçantë dhe shumëdimensional, për disa arsye.

Ai iu referua fluksit të jashtëzakonshëm të turistëve dhe pushuesve që zgjodhën vendin tonë, që ishte po ashtu edhe një tregues i besimit dhe i vlerësimit të qytetarëve të mbarë botës, të stadardeve të sigurisë, rendit dhe qetësisë publike të vendit tonë.

Rrumbullaku po ashtu u shpreh se ky sezon turistik nuk i mirëmenaxhua vetëm, por pati edhe partnerë ndërkombëtare, misione të rëndësishme, patrullime të përbashkëta me policët e Italisë dhe Kosovës, shkëmbime përvojash dhe eksperiencash me policinë e Kroacisë dhe reagime të koordinuara me shërbimet mbështetëse të zjarrfikësve, të shëndetësisë dhe të pushtetit vendor

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:

I nderuar Z. Ministër i Brendshëm,

Të nderuar Zotërinj Ambasadorë,

Të nderuar përfaqësues të vendeve partnere,

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke ju uruar mirëseardhjen në aktivitetin e organizuar për sezonin turistik, të bindur se e menaxhuam me sukses, dhe se ky sezon turistik e realizoi qëllimin e tij nëpërmjet një koordinimi gjithëpërfshirës të strukturave qeveritare në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në funksion të rritjes së sigurisë së jetës, ofrimit të një shërbimi cilësor dhe të shpejtë ndaj shtetasve shqiptarë e të huaj, me synim realizimin e pritshmërive të tyre në të gjitha aspektet.

Këtë vit, angazhimi i Policisë së Shtetit ka qenë tejet i veçantë dhe shumëdimensional, për disa arsye.

Së pari, fluksi i jashtëzakonshëm i turistëve dhe pushuesve që zgjodhën vendin tonë ishte tregues i besimit dhe vlerësimit të qytetarëve të mbarë botës, te standardet e sigurisë, rendit dhe qetësisë publike të vendit tonë.

Së dyti, në një mënyrë a një tjetër, vështirë të gjendet një qytetar, turist apo pushues që së paku një herë gjatë sezonit turistik veror 2023, të mos ketë marrë shërbim, asistencë apo informacion nga një punonjës policie. Ky kontakt i drejtpërdrejtë, i shënjuar me ndjenja të larta përgjegjësie, profesionalizmi dhe humanizmi, i dedikohet angazhimit shumëdimensional të Policisë së Shtetit.

Në çdo skaj të territorit, në çdo pikë kufitare, në çdo shesh, në çdo zonë turistike, në maja malesh dhe në mes të hapësirës së pafundme blu, efektivë të Njësisë Policore Detare, të Policisë Alpine, të Drejtorive Vendore dhe të FNSH-ve, kanë qenë të pranishëm, për të reaguar menjëherë ndaj çdo kallëzimi apo denoncimi për shkelje të sigurisë detare, rregullave të lundrimit, perimetrave të sigurisë, rregullave të konkurrencës ndërmjet bizneseve që ofrojnë shërbim gjatë verës, rregullave të qarkullimit rrugor, niveleve të rregulluara me ligj të zhurmave dhe ndotjes akustike dhe raste të zjarrvënieneve, si dhe ndaj çdo kërkese për ndihmë apo për informacion.

Së treti, si çdo punë tjetër e kalibrit të lartë të cilësisë, dhe ky sezon turistik nuk u mirëmenaxhua vetëm. Partnerë ndërkombëtarë, misione të rëndësishme, patrullime të përbashkëta me policitë e Italisë dhe Kosovës, shkëmbime përvojash dhe eksperiencash me policinë e Kroacisë dhe reagime të koordinuara me shërbimet mbështetëse të zjarrfikësve, të shëndetësisë dhe të pushtetit vendor, kanë shoqëruar dhe vijojnë të shoqërojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, për çështje të integruara të cilat kërkojnë përkushtim dhe ndërhyrje të përbashkëta.

Të gjitha këto elemente, të ndërvarura nga njëra-tjetra, rezultuan me një sezon turistik plotësisht të mbarë dhe pa incidente, si dhe me rritje të ndjeshme të imazhit të vendit tonë, në planin ndërkombëtar.

Për këtë arsye gjej rastin t’i shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim çdo punonjësi policie që u angazhua në terren dhe që sakrifikoi lejet, ditët e pushimit dhe kohën me familjen, për të qenë pranë qytetarëve, turistëve dhe pushuesve, në përmbushje të misionit madhor për mbarëvajtjen së sezonit turistik veror.

Kryeministri në takimin për Sezonin Turistik 2023, theksoi se: “…më shumë sesa përmbyllja e sezonit turistik veror, është hapja e një procesi diskutimi që ne do ta vazhdojmë, me të gjitha grupet e përfshira në përpjekjen e përbashkët, për ta kthyer Shqipërinë e vitit 2030, në një vend kampion të turizmit në rajonin tonë…”.

Kjo është sfidë për vendin, por më shume është një sfidë për shërbimet e Policisë së Shtetit, jo vetëm në sezonin veror, por për të gjithë vitin. Pasi çdo ditë shohim grupe turistësh që vizitojnë vendin tonë, dhe larminë e aktiviteteve që lidhen me turizmin, në det, në male dhe në bukuritë natyrore të vendit tonë.

Kjo sfidë, sjell detyra të shtuara për Policinë e Shtetit, për të ruajtur nivelin e menaxhimit bazuar në eksperiencën e këtij viti, por edhe për të ngritur në nivel më të lartë, profesionalizmin, performancën dhe dinamizmin e strukturave, me qëllim që të krijojmë mjedis të sigurtë për frekuentuesit e vendit tonë, qofshin shtetas shqiptarë apo të huaj.

Dua të ndaj me ju, se si rezultat i masave të marra gjatë sezonit turistik, nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve apo vizitorëve vendas dhe të huaj.

Masat që morëm për menaxhimin e sezonit turistik, ishin komplekse, të shtrira gjatë gjithë vitit, dhe u mbështetëm në:

➢ Zbatimin e detyrave të lëna nga Kryeministri, në planin e masave dhe pjesëmarrje aktive në Task Forcën ndër institucionale, në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike dhe plazhe;

➢ Porositë e vazhdueshme të Ministrit të Brendshëm, për mbarëvajtjen e sezonit turistik, në drejtim të sigurisë dhe masave shtesë për të parandaluar ngjarjet e rënda në tokë dhe në det. Masa që përfshijnë sigurinë në përgjithësi, dhe atë rrugore dhe kufitare në veçanti;

➢ Zbatimin e Programit të Punës, në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike dhe plazhe, të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore dhe menaxhimin e hyrje/daljeve në kufi, duke bashkëpunuar me institucionet e tjera përgjegjëse, si Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Roja Bregdetare, Agjencia për Bregdetin, Prefekturat, Organet e Qeverisjes Vendore dhe Agjencitë Turistike;

➢ Menaxhimin e kontrollit mbi strukturat qendrore e vendore, për monitorimin e kontrollin e zbatimit të detyrave, në përmbushje të kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe ujërat e brendshme, veçanërisht atyre turistike dhe të argëtimit. Kjo është realizuar përmes një procesi të përditshëm dhe të përjavshëm monitorimi, kontrolli dhe raportimi;

➢ U realizua ngritja dhe funksionimi i Njësisë Policore Detare (sezonale), në funksion të verifikimit të aktivitetit dhe rritjen e treguesve për parandalimin dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit, në zonat bregdetare të ndaluara për lëvizje të mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit;

➢ Rritjen e parametrave teknik, informatik dhe logjistik, duke siguruar përmirësimin e infrastrukturës së pikave të kalimit kufitar dhe funksionimin në vlera maksimale të rrjetit informatik të Policisë së Shtetit, si dhe në vendosjen e masave shtesë në lidhje me kontrollin dhe marrjen e masave në rrugë, duke u vendosur tableta digjitale, aparate digjitale alkool-testues, dronë, radarë matës të shpejtësisë, kamera digjitale të montuara në autovetura, etj;

➢ Ngritjen dhe funksionimin e 6 stacioneve provizore të policisë në zonat turistike si Theth, Valbonë, Tale, Gjiri i Lalzit, Palasë si dhe Ksamil. Risi për këtë vit ishte vendosja e një shërbimi policie 24/7, në Kalatën e Komanit, për monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë, në lidhje me veprimtarinë me mjete lundruese në Liqenin e Komanit dhe Lumin e Shalës;

➢ Në bashkëpunimin me ARRSH dhe me qeverisjen vendore, u rinovuan dhe u plotësuan sistemet e sinjalizimit vertikal dhe horizontal, po ashtu është siguruar menaxhimi i fluksit të trafikut, sidomos në fundjavë, duke u kujdesur dhe me këshillime në raport me drejtuesit e mjeteve në funksion të evitimit të aksidenteve apo rreziqeve në rrugë;

➢ Në bashkëpunimin me Agjencinë e Bregdetit, është shkëmbyer informacion për plazhet e licencuara, bashkëpunim që ka bërë të mundur identifikimin lehtësisht të plazheve abuzive dhe marrjen e masave për zhvillimin e veprimtarive bazuar në ligjshmëri.

Një punë e palodhur nga ana e Policisë së Shtetit, është bërë në lidhje me sensibilizimin e pushuesve vendas dhe të huaj dhe bizneseve, në drejtimet e mëposhtme:

– Parandalimi i ndotjes akustike, marrjen e masave të sigurisë, për ngritjen e pikave të vrojtimit në plazhe, vendosjen e bovave në det, krijimin e vendbazimeve të mjeteve lundruese dhe në veçanti të motorëve të ujit;

– Dhënia e mundësisë së komunikimit të drejtpërdrejtë me strukturat e Policisë, shtetasve, nëpërmjet numrave të kontaktit, prezencës direkte në zbatimin e rregullave të qarkullimit në rrugë;

– Bashkëpunimi me administratorët e bizneseve dhe shërbimeve ambulante përgjatë bregdetit, duke shkëmbyer numrat e telefonit për shërbimet policore, sallën e komandimit, drejtuesit e shërbimit, shërbimin për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, urgjencën e spitalit, sallat e komandimit dhe adresimin prej tyre të shqetësimeve dhe reagimin e menjëhershëm te Policisë për rritjen e sigurisë se pushuesve.

Kontributi i secilit aktor, si dhe marrja e masave të plota nga strukturat policore, siguroi një klimë të qetë dhe të sigurtë reflektuar në:

– Vlerësimin e masave të marra nga pushuesit që vizituan Shqipërinë dhe promovimin pozitiv të vendit tonë në mediat ndërkombëtare;

– Marrjen e masave të plota për të bërë të sigurtë larmishmërinë e pjesëmarrjes në aktivitete të turistëve, në organizime që janë kryer në zona turistike dhe qytete, ku ndër të tjera përmendim edhe aktivitetet e shumta të organizuara në Tiranë, për shkak të shpalljes së saj “Kryeqyteti Europian i Sportit”, për vitin 2023.

Planifikimi i punonjësve të policisë për mbarëvajtjen e sezonit turistik:

– Gjatë sezonit turistik veror 2023, u planifikuan me shërbim në zona turistike/plazhe 1632 punonjës policie, nga të cilët; 362 punonjës policie të rendit publik, 73 punonjës policie të strukturave për hetimin e krimit, 100 punonjës të policisë rrugore, 185 punonjës policie të strukturave Operacionale SOS, 912 punonjës policie për kufirin dhe migracionin, (nga te cilët 144 punonjës policie me mjete detare dhe 771 në PKK);

– Në dispozicion të këtyre shërbimeve gjatë sezonit turistik veror, janë vendosur 205 automjete (nga të cilat: 40 autovetura, 30 furgonë, 35 motoçikleta, 56 biçikleta dhe 44 mjete lundruese).

Sezoni turistik nuk mund të ishte në këtë masë të lartë realizimi pa bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë të përhershëm ndërkombëtarë, ku përmendim:

– Nuklin Italian të Kufirit Detar të “Guardia di Finanza”, në luftën kundër kriminalitetit dhe monitorimin e hapësirës detare;

– FRONTEX, “JO Albania Sea 2022”, ku zhvillohen dhe koordinohen operacione të përbashkëta në kufijtë detarë dhe tokësorë të vendit tonë, për të kontrolluar flukset e imigracionit të paligjshëm, për të luftuar krimin ndërkufitar dhe për të rritur bashkëpunimin me partnerët;

– Policinë Gjermane dhe Holandeze, të mbështetur nga EUROPOL dhe FRONTEX, të cilat kanë dhënë një kontribut dhe vlerë të shtuar në operacionet e zhvilluara nga Policia Shqiptare;

– Hapjen e Qendrës së Përbashkët të Shkëmbimit të Informacionit Shqipëri-Greqi, në territorin e palës Greke;

– Hapjen e Pikës së Përbashkët të Kalimit Kufitar Qafë Thanë, me Maqedoninë e Veriut;

– Zbatimin korrekt të marrëveshjeve me Policinë e Kosovës, të Malit të Zi, të Italisë dhe atë të Kroacisë, për të kryer patrullime të përbashkëta, për mbarëvajtjen dhe dhënien ndihmë shtetasve që kanë patur destinacion Shqipërinë.

Treguesit dhe rezultatet e kontrolleve në kufirin detar:

Gjatë këtij sezoni është monitoruar me përgjegjësi zbatimi i ligjshmërisë në lëvizjen e mjeteve lundruese turistike në hapësirën detare shqiptare ku si rezultat i shërbimeve të organizuara janë arritur këto rezultate:

– Janë evidentuar 104 raste dhënie ndihme, ndaj 485 shtetasve me 65 mjete lundruese.

– Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar 4901 mjete lundruese, nga të cilat 331 janë gjetur me shkelje ligjore, 280 janë bllokuar dhe janë vendosur 331 masa administrative me vlerë totale 10.6 milionëlekë, si dhe janë zhbllokuar pas shlyerjes së gjobave 276 mjete lundruese.

Për periudhën Janar – 26 Tetor:

• Janë përpunuar në hyrje-dalje në total, rreth 28,6 milion Shtetas shqiptarë e të huaj;

• Janë përpunuar në hyrje dalje në total rreth 7,7 milion mjete në PKK.

• Janë përpunuar rreth 8,86 milion shtetas të huaj, që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë;

• Janë përpunuar në hyrje dhe dalje 10362 tragete shqiptare dhe të huaj;

• Janë përpunuar 3699 jahte të huaja në hyrje dhe në dalje;

• Janë përpunuar 38 973 avionë në hyrje dalje, ose 9937 avionë më shumë se vitin 2022.

6. Treguesit dhe rezultatet e turizmit malor:

Me të njëjtin vlerësim, në kuadrin e masave të sigurisë nga Policia është vlerësuar edhe siguria ne zonat turistike malore, ku kanë funksionuar Stacionet e Përkohshme Policore.

Si rezultat i këtyre masave dhe prezencës policore, është siguruar rendi dhe qetësia për shtetasit dhe pushuesit, ku në disa raste u është dhënë ndihmë nga Stacionet Policore, dhe Njësitë Alpine, në Theth, Valbonë, Kukës, Krujë, Vlorë, Himarë, Përmet e Berat, për 75 turistëve të huaj, të cilët janë shpëtuar dhe gjetur në terrene të vështira malore.

Në disa raste ka qenë e nevojshme ndërhyrja e shërbimeve të specializuara, duke organizuar operacione kërkim/shpëtimi, si dhe duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar me shërbimet e tjera të ndihmës së parë.

Treguesit dhe produktiviteti i strukturave antikrim dhe kontrollit të territorit:

Përgjatë këtij sezoni, nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve apo vizitorëve vendas dhe të huaj.

Gjithashtu, nuk është evidentuar asnjë kallëzim nga shtetas të huaj për krime të rënda ndaj jetës, shëndetit apo pasurisë së tyre.

Janë ndërmarrë dhe përmbyllur me sukses një sërë operacionesh policore në kuadër të procedimeve penale, me mbështetjen dhe bashkëpunimin të ngushte me Prokurorinë e Posaçme dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm:

– Në fushën e krimit të organizuar, 51 operacione nga te cilat 38 kombëtare dhe 13 ndërkombëtare.

– Në fushën e krimeve kundër jetës dhe shëndetit, 20 operacione policore.

– Në fushën e krimeve kundër personit 29 operacione.

– Në fushën e krimeve kundër narkotikeve 136 operacione, nga të cilat 97 operacione kombëtare dhe 39 ndërkombëtare.

– Në fushën e kapjes së personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar: janë vënë para drejtësisë shqiptare 1399 shtetas, nga te cilët 1211 në kërkim kombëtar dhe 188 në kërkim ndërkombëtar.

Parandalimi aksidenteve:

Në rrugët e Shqipërisë, gjatë sezonit turistik, kemi patur një shtim të madh të mjeteve që kanë shfrytëzuar arteriet rrugore.

Nëse mjetet e shtetasve shqiptarë janë rreth 840 mijë, gjatë kësaj periudhe ky numër ka shkuar afërsisht në 3.8 milionë mjete.

Pavarësisht rritjes së numrit të automjeteve në akset rrugore, strukturat policore kanë operuar me sukses problematikat e shfaqura në fushën e menaxhimit të trafikut urban dhe interurban.

Duke falënderuar të gjithë aktorët vendas dhe partnerët ndërkombëtarë, ju sigurojmë se Policia e Shtetit, ashtu si gjatë këtij viti, edhe për vitin 2024, do të jetë po aq e vendosur dhe e angazhuar në përmbushjen e përgjegjësive institucionale, krijimin e një ambienti sa më të sigurtë për qytetarët, vizitorët dhe turistët, në zona turistike bregdetare e malore.

Të nderuar përfaqësues të vendeve partnere,

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe asistencën që jepni për Policinë e Shtetit, ju garantoj se tek organizata që unë drejtoj, do të gjeni gjithmonë një partner profesional, bashkëpunues, të përkushtuar dhe të besueshëm. Ne do jemi aktivë në luftën e përbashkët për të sunduar krimin, dhe për ta goditur atë si në operacione kombëtare, ashtu edhe në operacionet e përbashkëta ndërkombëtare.

Prania dhe asistenca juaj është vlerë e shtuar në punën e Policisë së Shtetit.

Të nderuar kolegë,

Puna e kryer vlerësohet, dhe ky vlerësim do të jetë motivim për ju. Duke ju shprehur mirënjohjen për punën tuaj, në menaxhimin e sezonit turistik, dhe dinamikës së përditshme të punës tuaj, bazuar ne vlerësimet dhe rezultatet konkrete te çdo punonjësi policie, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm, kanë akorduar stimuj moral dhe material, nga të cilat 10 Medalje Nderi, 21 Certifikata për Shërbime të Dalluara dhe 1311 shpërblime në vlerën e një page mujore.

Këto vlerësime, do të ndikojnë në rritjen e motivimit të punonjësve të Policisë së Shtetit për rezultate në punën, jo vetëm në Sezonin Turistik, por në të gjithë gamën e veprimtarisë së Policisë së Shtetit.

Te nderuar qytetarë,

Tek punonjësit e Policisë së Shtetit shqiptar, do të gjeni gjithnjë profesionalitet, përkushtim dhe besueshmëri, duke garantuar rritje të parametrave të sigurisë, shtimin e frymës së bashkëpunimit me komunitetin, në funksion të parandalimit të krimit dhe sigurisë rrugore, lehtësimit të qarkullimit kufitar, rritjen e parametrave teknik, logjistik, edukues dhe monitorues të Policisë së Shtetit, në funksion të standardeve më të larta Evropiane brenda kuadrit rregullator dhe detyrave funksionale të saj.

Në përfundim të fjalës sime, dua të shpreh mirënjohje për gazetarët dhe stafet mediatike që kanë pasqyruar në kohë reale, me vërtetësi dhe me përgjegjshmëri, punën e Policisë së Shtetit, gjatë sezonit turistik 2023.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar me çdo njësi të saj, për të parandaluar ngjarjet kriminale, për të garantuar rend dhe siguri publike, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetasit që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit, si dhe për të shtrirë dorën e ndihmës ndaj kujtdo që paraqet një nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit.

Ne do të vijojmë të jemi pranë çdo qytetari dhe vizitori të huaj, me të gjitha kapacitetet tona njerëzore dhe logjistike, në mënyrë që me punën tonë të përcjellim një imazh, sa më të sigurtë e miqësor të vendit tonë, i cili pret e përcjellë miq nga e gjithë bota, në çdo stinë të vitit.

Faleminderit!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!